Kush ka makinë luksoze nga janari e tutje gjobitet më shumë se ai që ka makinë të vjetër
Që prej janarit, kushdo që ka një makinë luksoze do të gjobitet për shkelje të dispozitave të kodit rrugore më shumë se sa dikush që ka një makinë tip më të vjetër.
E thënë më thjesht dikush që ka një makinë të shtrenjtë për shkelje semafori do të marrë një gjobë të lartë, ndërsa dikush tjetër që ka një makinë më pak të kushtueshme do të gjobitet më pak.
Për ministrin Saimir Tahiri ky ndryshim është pjesë e projektit të gjobave progresive dhe policit këshillues.
Por, dekani i Fakultetit të Drejtësisë Altin Shegani e gjen këtë nismë në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese.
Sipas tij, gjobën e merr shoferi dhe jo makina.
“Ndëshkohet individi që bën shkeljen, jo makina”.
Polici këshillues është një projekt që parashikon se për shkelje të lehta drejtuesi i mjetit këshillohet duke i dorëzuar një gjobë me vlerë zero dhe në rast të përsëritjes vjen ndëshkimi administrativ.
Gjithashtu do të ketë gjoba të diferencuara mes një drejtuesi që sapo ka marrë patentën dhe atij me eksperiencë 10 vjeçare./Tv Klan