Kush po i dëmton tabelat me mbishkrime greke në Dropull dhe çfarë fshihet mbas LSHB-së?
Disa persona të paidentifikuar kanë dëmtuar gjatë mesnatës tabelat treguese në fshatrat e Dropullit, duke fshirë me bojë të zezë mbishkrimet në gjuhën greke dhe duke lënë vetëm shkrimin në gjuhën shqipe.
Kjo gjë ka ndodhur në disa fshatra si në Glinë, Grapsh, Lugar 1. Ndërkohë që në aksin nacional mbi asfalt autorët kanë lënë mbishkrimi LSHB, që janë simbolet e Lëvizjes Shqipëria e Bashkuar.
Pikërisht ky simbol është edhe shkaku që policia në Gjirokastër të dyshojë paraprakisht ndaj kësaj lëvizjeje, një prej përfaqësuesve të të cilës sipas të dhënave paraprake i është refuzuar hyrja për në shtetin grek.
Mbi këto indicie policia ka dyshime paraprake, pasi siç thuhet ky person mund të jetë shtyrë nga shkaqe personale. Por kjo nuk është pista e vetme policisë që po heton edhe mbi pistat e tjera, përderisa kanë konstatuar se nga të njëjtët persona është dëmtuar edhe tabela e një partie politike në fshatin Sofratikë.
Prishja e toponimeve në greqisht është një histori e vjetër, 17 vitet e fundit në zonën e Dropullit. Ajo ka zënë fill që kur marrëveshja mes dy shteteve për dy gjuhësinë e tyre hyri në fuqi vite më parë.
Policia ka vendosur të hapë çështje hetimore për nxitje te urrejtjes etnike, por një tabelë e prishur në gjuhën greke të një partie politike shqiptare, tregon se më shumë se sa një çështje kombëtare, gjithçka, edhe në zonën minoritare rëndohet sa herë ka stinë zgjedhore./Tch