Largohet drejtori i patentave dhe targave në Gjirokastër
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion që për katër vitet e fundit u drejtua nga Lëvizja Socialiste për Integrim ka hyrë në fazën e ristrukturimit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka miratuar ndryshimet në statutin dhe organigramën e këtij institucioni duke i hapur rrugën largimit të 15 drejtuesve rajonalë dhe ndryshimit të kritereve për caktimin e drejtuesve të rinj duke sanksionuar detyrim me vitet e punës dhe arsimin përkatës.
Drejtori i ri Arben Isaraj tashmë ka filluar zbatimin e reformës që synon përmirësimin e shërbimit ndaj qindra mijëra qytetarëve.
Dy vendet vakante të shpallura në drejtorinë qëndrore janë për vendet e “Drejtorit të Administrimit dhe Teknologjisë së Informacionit” dhe “Drejtorit të Drejtorisë së Investigimit Administrativ”.
Me statutin e ri është vendosur kushtëzimi që kandidatët duhet të kenë të detyrueshme minimum 5 vite punë në administratën publike.
Gjithashtu, ju kërkohet që të kenë mbaruar Nivelin e dytë “Master” në profilin përkatës, ndërsa diploma e nivelit “Bachelor” duhet të jetë në të njëjtën fushë.
Kusht është edhe që të mos kenë lidhje familjare (bashkëshort, bashkëjetues, bir, bij dhe fëmijët e tyre), gjinie (prindër, motër e vëlla dhe fëmijët e tyre, emtë a ungj) apo krushqie (prind, fëmijë, vëlla, motër, bashkëshort dhe bashkëshort/bashkëjetues i fëmijëve) me punonjës ekzistues brenda DPSHTRR-së.
Përveç dy posteve të drejtorëve në nivel qëndror, janë larguar dhe shpallur vakante vendet për 13 drejtorë rajonalë, përkatësisht në: Tiranë, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Laç, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Durrës, Dibër dhe Berat.
Kusht për aplikim për këto vende drejtuesish është vendosur që të kenë mbaruar Nivelin e dytë “Master”.
Diploma”Bachelor” të jetë në profilin inxhinierik, juridik, ekonomik ose menaxhim publik. Eksperienca në punë duhet të jetë në sektorin publik ose privat mbi 3 vite.
Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka qenë vazhdimisht nën akuza publike për nivel të lartë të Korrupsionit dhe emërime politike. Këto ndërhyrje pritet që të ndryshojnë përceptimin ndaj institucionit dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në disiplinimin dhe luftën ndaj fenomeneve korruptive.