Lazarat, 60-vjeçari mbush stanin me drogë, arrestohet nga policia
Policia e Gjirokastrës dhe forcat “Shqiponja” kanë zhvilluar një operacion të koduar si “Pesjaku” në vendin e quajtur Kunupicë-Pesjakë në Gjirokastër, në stanin e Hysen Brahimit. Ata kishin informacion se në të fshihej një sasi e madhe kanabisi. Pas kontrollit, policia ka zbuluar 281 kg kanabis dhe i e ka arrestuar Brahimin, 60 vjeçar. Po ashtu, atij i është gjetur edhe një armë me 25 fishekë.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të punës për kontrollin e territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Gjirokastër, në bashkëpunim me forcat “SHQIPONJA” dhe shërbimet e Komisariatit Gjirokastër kanë zhvilluar operacionin e koduar “PESJAKU”.
Mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë policore se në vendin e quajtur “Kunupicë – Pesjakë”, Gjirokastër, në stanin e shtetasit Hysen Brahimi kishte lëndë narkotike, shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në këtë ambient. Si rezultat i kontrollit shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në stan 28 thasë plastikë me ngjyrë të zezë brenda të cilëve kishte lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, një armë zjarri model 56, si dhe një krehër me 25 fishekë. Pesha totale e lëndës ishte 281 kg.