Lazarat, arrestohet Dritan Shurdhi, i dyshuar si porositës i sulmit ndaj RENEA-s
Policia ka arritur të ndaloj Dritan Shurdhin të kërkuarin në Lazarat, i cili dyshohet se ka porositur vrajsen e oficerit të RENEA.
Ai është kusheriri i Sabri Shurdhit, të vrarë në vitin 2007 gjatë një aksioni të RENEA-s. Ndalimi i Dritan Shurdhit ka ardhur pasi pista kryesore e hetimeve për sulmin ndaj forcave RENEA ku mbeti i vrarë Ibrahim Basha është hakmarrja për vrasjen e Sabri Shurdhit.
Efektivë të forcave speciale, por edhe ish-efektivë të këtij reparti, kanë pasur informacione edhe më parë që vëllai tjetër i Sabri Shurdhit, që aktualisht ndodhet në burg, Florian Shurdhi, po organizonte hakmarrjen për vrasjen e të vëllait më 7 shtator të 8 viteve më parë. Ky dyshim bëhet edhe më i arsyeshëm për forcat RENEA, duke qenë se ngjarja ndodhi në një kohë kur situata në Lazarat dukej më e qetë prej një viti.
Por edhe për faktin se grupi i armatosur ka qëlluar vetëm ndaj forcave RENEA, pasi ndaj tyre donin të hakmerreshin. Për disa orë me radhë, gjatë gjithë natës, personat e armatosur kanë qëlluar në kohën kur forcat e FNSH ndodheshin në fshat. Por të shtënat kanë qenë në ajër dhe në asnjë moment nuk është hapur zjarr ndaj Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Nga rindërtimi i vendit të ngjarjes, gjetja e provave, matjet dhe veprime të tjera hetimore që janë kryer dje, janë disa të dhëna që e lidhin sulmin ndaj RENEA-s me vrasjen e Sabri Shurdhit në vitin 2007. Personat e armatosur kishin zënë vend pranë memorialit të ngritur në kujtim të Sabri Shurdhit.
Tre më të rrezikshmit ende të pakapur janë Bervin Basho dhe dy vëllezërit Arbion Aliko dhe Alban Aliko.