Lazarat, RENEA “dorëzon” armët te gazetarët [FOTO]

11651065_10203923068107361_679628664_n (1)Prej katër ditësh forcat RENEA vijojnë operacionin në fshatin Lazarat, duke kontrolluar çdo banesë deri në arrestimin e personave që hapën zjarr dhe vranë efektivin Ibrahim Basha, si dhe plagosën dy kolegë të tij. Por përtej pamjeve të kontrolluara që policia shpërndan gati çdo ditë, ky aksion ka edhe momentet e tij të “relaksit”, të paktën për gazetarët që janë në Lazarat për të raportuar ngjarjen.

Nga fotot që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihen gazetarë të televizioneve informative duke pozuar me armë të forcave RENEA. Vetë gazetarët i kanë postuar në faqet e tyre në Facebook këto foto, me një lloj mburrje apo snobizmi, por që në fakt këto gjeste nuk janë fare konform etikes së gazetarit dhe as konform rregullave të përdorimit të armëve luftarake.

Njëkohësisht ky veprim i forcave RENEA, që u lënë armët gazetarëve për të pozuar foto për Facebook, zhvlerëson në një farë mënyre seriozitetin e këtij aksioni. Pse jo edhe rrezikshmërinë e tij. Për të më tepër, po të kemi parasysh kontekstin kur zhvillohet ky operacion, veprime të të tilla janë edhe më të dënueshme.

Efektivëve të RENEA-s u është vrarë një koleg i tyre dhe plagosur dy të tjerë, prandaj do të ishte më shumë e udhës që të mobilizoheshin për kapjen e autorëve të krimit, sesa të shpenzonin kohë për të përmbushur dëshirat e gazetarëve. Të tilla foto kompromentojnë deri diku edhe vetë raportimin e këtyre gazetarëve, që në një situatë të tillë duhet të jenë sa më të paanshëm nga palët në konflikt. /Lapsi.al/