Lazarati e paguan energjinë, rriten arkëtimet në Gjirokastër [VIDEO]
Qindra debitorë të energjisë elektrike i drejtohen çdo ditë OSSHE-së në Gjirokastër për të kërkuar informacion rreth shlyerjes së faturave të energjisë. Për ata që kanë debi shumëvjeçare pagesa e principalit dhe reduktimi me 80% i kamatëvonesës duket se është avantazh por ende të paktë janë ata që kanë shlyer miliona lekë debi. Vetëm fshati Lazarat i detyrohet shtetit para të papaguara për energjinë qindra milionë lekë.
“Që nga momenti i fillimit të aksionit ka një rritje te ndjeshme të arkëtimeve”, thotë Sokol Feruni, drejtor i rajonit, Gjirokastër.
Vetëm gjatë muajve të fundit sipas policisë janë arrestuar 16 persona për vjedhje të energjisë dhe ndërhyrje në rrjetin shpërndarës ndërsa disa dhjetëra të tjerë ndiqen në gjendje të lirë. I gjithë rajoni i Gjirokastrës ku përfshihen Tepelena, Përmeti, Gjirokastra, Saranda e Delvina ka rreth 80 mijë abonentë aktivë dhe më shumë se 12 mijë abonentë pasivë. Këta të fundit që janë kryesisht emigrantë në Greqi rradhitën qindra ankesa vitin e kaluar për faturime të padrejta dhe vjedhje të energjisë nga persona e subjekte që ndërhynin në rrjet prej vitesh.