Lazarati turistik, grupe vizitorësh në fshat
Pas operacionit të policisë në Lazarat dhe “çlirimin” e fshatit, kurioziteti shtyn shumë njerëz të shkojnë të vizitojnë atë që mediat perëndimore e kanë cilësuar si “kryeqyteti europian i marijuanës”. Grupe të ndryshme vizitorësh vendas e të huaj që kalojnë tranzit në Gjirokastër, ndalen edhe në Lazarat duke shëtitur në rrugicat e fshatit, duke biseduar me banorët dhe sigurisht duke bërë foto.
Interesi i turistëve të huaj për Lazaratin ka qenë edhe përpara operacionit të policisë. Kujtojmë një vit më parë grupin e të rinjve hollandezë që kishin qëndruar në Lazarat ku edhe kishin realizuar një klip me pamje të parcelave plot kanabis. Mediat ndërkombëtare kanë shkruar vazhdimisht për Lazaratin dhe i kanë dhënë atij “famë” duke ngjallur kështu kureshtjen e të huajve. Gazeta amerikane Global Post e rendiste Lazaratin si një nga dhjetë historitë me të lexuara të vitit 2013.