Fushata në Dropull, letër falenderimi nga Mirela Leka Çabeli

11426466_1446148509020181_1943031029_nNë përfundim të procesit të numërimit të votave në Bashkinë Dropull, Mirela Leka Çabeli, që kryesonte listën e kandidatëve të PS-së për Këshillin Bashkiak, i drejtohet me një mesazh të shkurtër zgjedhësve të Dropullit.

Të nderuar miq,

Tashmë që zyrtarisht u krye numërimi i votave në Dropull, ndjehem e vlerësuar që do të jem këshilltare e Këshillit Bashkiak të kësaj njësie të re vendore. Sikundër jam angazhuar që prej fillimit të fushatës, edhe tani që u zgjodha, ju siguroj se nuk do të jem thjesht një këshilltare e zakonshme, por do të cojë gjithnjë zërin për cdo problem që ju shqetëson. Pavarësisht se unë përfaqësoj Partinë Socialiste, do të jem në shërbim të cdonjërit prej jush, të atyre që më votuan, por edhe të atyre që s’më besuan. Ndjehem shumë e lumtur që në këto ditë të fushatës u njoha me njerëz të mrekullueshëm, bëra shumë miq dhe bashkëpunëtorë, që ndoshta në rrethana të tejra nuk do t’i njihja.

Por nga ana tjetër, duke shkuar fshat më fshat të Dropullit, kuptova se minoritarët e kanë të domosodshëm bashkimin. E kam fjalën në radhë të parë për një bashkim njerëzor e shoqëror, mbi bazën e interesit të përgjithshëm, pastaj për të kaluar pse jo te një bashkim politik. Ndryshimet pozitive vijnë sa herë ne jemi bashkë. Jam ndjerë shumë e kënaqur nga mikpritja e banorëve të Pogonit, por në të njëjtën kohë edhe e keqardhur nga infrastruktura rrugore tejet e vështirë me të cilën ata janë përballur. Prandaj për aq kohë sa të jem në Këshillin Bashkiak të Dropullit, do ta ngre gjithnjë këtë problem derisa të marrë zgjidhje përfundimtare. Lista me falenderimet është e gjatë, por unë do shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë Dropullin. Faleminderit Goranxisë, fshatit të gjyshit tim.

Faleminderit Vanistrës, vendlindjes time. Faleminderit Derviciani, Jorgucati, Bularati, Zervati dhe gjithë fshatrat e tjerë të thellë të Dropullit. Ka qenë një muaj shumë i ngarkuar dhe intensiv, e ndoshta nuk kam patur kohë t’u përgjigjem të gjitha mesazheve tuaja. Por besoj më keni mirëkuptuar. Ndjej se duhet të bëj një falenderim të vecantë edhe për Kryeministrin e Shqipërisë, z.Edi Rama, që më besoi mua dhe cdo gruaje tjetër në listat e këtyre zgjedhjeve lokale. Uroj atë dhe cdo socialist tjetër për fitoren e së majtës në rang vendi. Këtej e tutje është koha që ta tregojmë me punë besimin që na dhanë qytetarët në 21 qershor. Edhe njëherë faleminderit!

Sinqerisht,

Mirela Leka Çabeli