Lëvizja Kombëtare për Lexim mbërrrin në Gjirokastër, Kumbaro dhe Çuçi dhurojnë libra për bibliotekën dhe nxënësit e shkollës ‘Urani Rumbo’ (FOTO)
Gjirokastra ishte destinacioni i radhës i Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro edhe ekipi i kësaj lëvizje dhuruan e lexuan libra për nxënësit e shkollës ‘Urani Rumbo’ dhe bibliotekën e qytetit. Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit Kumbaro ftoi nga Gjirokastra, të rriturit shqiptarë që “të peshojnë me përgjegjësi e sinqeritet, se çfarë modele vlerash iu mësojmë fëmijëve, si po i edukojmë dhe sa kujdesemi që të rriten me shembuj të mirë.” I pranishëm ishte edhe deputeti tjetër i qarkut, Bledi Çuçi.
Ministrja kërkoi gjithashtu nga prindërit t’u lexojnë fëmijëve çdo mbrëmje.
“Sa herë të mundeni, jepuni një kujtesë, që do ta mbajnë gjithë jetën me vete- zërin tuaj, që u lexon një përrallë, një ngjarje dhe do të jenë më të mirë,më të zotë, me më shumë besim sesa ne, kur të rriten”, tha Kumbaro.
E veçanta për Gjirokastrën ishte se takimit iu bashkua edhe personazhi i Gishtos, simboli i Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Ai u interpretuar nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Kukullave Erion Isai. Gishto i LKL-së thërret fëmijët shqiptarë të rriten duke lexuar ” që të mos mbesin lakër nga mendja, ndërsa do të bëhen domosdo lastar nga trupi”.
E shkruar posaçërisht për këtë Lëvizje, shfaqja e Gishtos do të shëtisë në të gjithë vendin, duke bërë pjesë të saj fëmijët e çdo qyteti, si personazhe që dalin nga librat për të grishur kuriozitetin e të vegjëlve që t’i lexojnë.
Erion Isai çeli siparin e Gishtos në Gjirokastër, ndërsa ndalesa e radhës do të jetë me fëmijët e Tiranës, në datë 21 Nëntor, në Teatrin e Kukullave.