Libohova dhe zonat përreth, 4 ditë pa drita
Problemi i energjisë elektrike në Shqipëri nuk është vetëm me ata që nuk paguajnë, por dhe me ata që nuk arrijnë dot ta kenë si shërbim. Në qarkun e Gjirokastrës është bërë problem shqetësues mungesa energjisë elektrike. Prej katër ditësh, banorë të zonave të Libohovës, Dervicianit, Dropullit të Sipërm dhe të Poshtëm, Pogonit, Zagorisë dhe Nepravishtës, vuajnë mungesën energjisë që u vjen vetëm pak orë gjatë ditës, shkruan sot Dita. Banorët e këtyre zonave kanë ngritur zërin, duke kërkuar të gjendet një zgjidhje për ta, duke thënë se nuk mund të kalohet dimri pa energji elektrike.
Zonat për rreth Gjirokastrës, për shkak të një defekti të Nënstacionit 35 kilovolt të Grapshit, vuajnë mungesën e energjisë elektrike. Banorët thonë se sa herë ka reshje shiu, ikin dritat dhe ditët e fundit janë shpeshtuar ndërprerjet aq shumë, sa janë të pakta orët që kanë energji elektrike. Sipas banorëve, sistemi elektrik në këtë zonë është i amortizuar, për shkak të kohës së gjatë që nuk është vënë dorë.
“Sa herë shohim re mbi Tepelenë, e dimë që do të rrimë pa drita”, thotë një prej banorëve të Libohovës. Ata shpjegojnë se rrjeti është ndërtuar që nga koha e Enver Hoxhës dhe nuk ka pasur asnjë riparim, prandaj i bëjnë apel shtetit që të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje.
“Kemi fëmijë e pleq dhe nuk mund ta kalojmë dimrin në këtë gjendje”, apelojnë banorët e Libohovës. Sipas tyre, ndërmarrja rajonale e OSHEE në Gjirokastër duhet të gjejë një zgjidhje për problemin për të normalizuar jetën e mijëra banorëve që jetojnë në këto zona të rrethit Gjirokastër. Nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë e krijuar, por në këto ditë të ftohta dhe me afrimin e acarit dimëror, vështirësitë për popullsinë e këtyre zonave janë shtuar së tepërmi. Teksa OSHEE është e angazhuar me operacionin e prerjes së lidhjeve të paligjshme, duke arrestuar shkelësit, duket se ka harruar riparimin e defekteve dhe detyrën për të furnizuar me energji zonat me probleme. Disa nga fshatra pa drita: Derviçani, Dropulli i Poshtëm, Dropulli i Sipërm, Pogoni, Zagoria, Nepravishta.