Libohova do të ketë ujë 24 orë në ditë dhe sahat për çdo shtëpi, nis puna për ujësjellësin e ri
Në Libohovë pritet të nisin punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri që do të sigurojë furnizim me ujë për 24 orë. Kompania që do të kryejë investimin ka filluar të sjellë materialet dhe të hapë kantierin. Rehabilitimi i ujësjellësit të Libohovës do të përfshijë ndërtimin e një stacioni pompash të ri afër burimit të Zhepës nga i cili furnizohet me ujë i gjithë qyteti Libohovës, si dhe ndërtimin e një linje të re kryesore nga stacioni i pompave në rezervuarin lagjes “Kala”, nga i cili merr ujë qendra e qytetit që ka edhe numrin më të madh të popullsisë.
Po ashtu do të ndërtohet një linjë të re kryesore nga stacioni i pompave në rezervuarin pranë kullës së sahatit. Ky rezervuar do të shërbejë për furnizimin me ujë me rënie të lirë. Pjesë e projektit do të jetë edhe ndërtimi i një linjë të re, e cila nga stacioni i ri i pompave do të furnizojë me ujë rezervuarin e lagjes “Hoxhallarë”. Po kështu do të ketë një linjë që do të furnizojë me rënie të lirë rezervuarin e fshatit Bulo.
Do të rehabilitohet rrjeti i ri shpërndarës, si dhe do të vendosen matësa për çdo abonent. Nga ky investim përfitojnë rreth 3600 banorë të qytetit të Libohovës dhe fshatit Bulo. Veç garantimit të furnizimit me 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi, ky investim do të rrisë sasinë e ujit për frymë dhe do të eleminojë ndotjen.
©Libohova Online