Libohova mes 4 bashkive të qarkut Gjirokastër që përfitojnë nga projekti i BE për mbështetjen mbi procesin e auditimit nga KLSH
21 bashki u bënë sot pjesë e tre sesioneve informuese në qytetet Kukës, Pogradec dhe Vlorë për prezantimin e mbështetjes që STAR2 do u ofrojë 61 bashkive në përgatitjen e procesit të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe rritjes së zbatimit të rekomandimeve të këtij institucioni për njësitë e qeverisjes vendore. Në takimin e Kukësit ishin prezentë përfaqësues të bashkive Kukës, Has, Tropojë, Bulqizë, Klos, Dibër, në tryezën e Pogradecit përfaqësues kishin bashkitë Pogradec, Korçë, Librazhd, Kolonjë, Cërrik, Peqin, Maliq, Elbasan e Belsh, ndërsa në Vlorë, bashkitë Vlorë, Libohovë, Selenicë, Dropull, Përmet dhe Tepelenë.
Gjatë diskutimeve, punonjësit e bashkive ngritën pyetje specifike mbi legjislacionin në fuqi për auditimin nga KLSH dhe problematika konkrete të hasura nga bashkitë e tyre gjatë kontrolleve të shkuara nga ky institucion. STAR2- Konsolidimi i Reformës Territoriale dhe Administrative – është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian, Suedia, Italia, Zvicra, USAID, UNDP dhe Qeveria e Shqipërisë në mbështetje të konsolidimit të njësive vendore të Shqipërisë. Partneri zbatues i projektit është Ministria e Punëve të Brendshme. Projekti zbatohet nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri.