Libohova në karantinë, Këshilli Bashkiak mblidhet në ‘Skype’ (FOTO)
Shqipëria është e gjitha në karantinë. Institucionet shtetërore, njësoj si bizneset private kanë pezulluar punën dhe shumë prej proceseve i kryejnë në distancë. Njësoj si qeveria, edhe mbledhjet në nivel vendor të këshillave bashkiakë zhvillohen online.
Një ditë më parë u zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak të Libohovës. Secili prej këshilltarëve i ndiqte punimet nga shtëpia përmes platformës skype. Në mbledhje u disktua për situatën emergjente të krijuar nga përhapja e Covid-19, masat që janë ndërmarrë për dezifektimin e rrugëve dhe ambienteve të tjera publike.
U mor vendim që një pjesë e fondit të emergjencave të përdoret për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi. Po kështu në distancë këshilltarët miratuan shpërndarjen e ndihmës ekonomike për këtë muaj. Me gjasë kjo formë e zhvillimit të mbledhjeve do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar derisa Shqipëria të “çlirohet” nga pandemia e Covid-19.
Deri më tani numri i të infektuarve në rang vendi është 123. Gjirokastra dhe Dibra janë dy qarqet që ende nuk janë pjesë e ‘zonës së kuqe’. Autoritetet shëndetësore presin që piku i të infektuarve të shënohet diku në mesin e muajit maj. Mbledhja e këshillit u zhvillua bazuar në aktin normativ Nr.3 të Këshillit të Ministrave dhe nenit 81 të rregullores së re të Këshillit Bashkiak të miratuar para pak kohe dhe udhëzimit përkatës, hartuar me asistencën e projektit “Bashki të Forta” një projekt i Qeverisjes së Mirë financuar nga qeveria zviceriane.
©Libohova Online