Libohova në terr, mungon ndriçimi në rrugë
Mbrëmë në inboxin e faqes në Facebook të LibohovaOnline mbërriti një mesazh nga një i ri, i cili nuk ka dashur t’i shfaqet emri te ky shkrim. Kuptohet, në një vend të vogël si Libohova për të ruajtur raportet e mira me njerëzit, shpesh herë edhe duhet të heshtësh, pavarësisht problematikës apo cënimit të të drejtave si qytetar. Megjithatë, ja cili ishte mesazhi i tij:
“Kam dëshirë të bëni një status sa i përket ndriçimit të qendrës së qytetit që duket si fshat. Është kohë vere, gjallërohet cdo gjë. Çfarë tregojmë me këtë errësirë, që jemi bashki? Atëherë të ndriçohet pjesa e shëtitores. Besoj se është një temë që do marrë diskutim dhe mbase realizohet diçka pasi kemi qenë diku te 10 veta sonte dhe ky është problemi kryesor, ndricimi. Libohova s’duhet ndriçuar vetëm një natë kur bëhet festa, por gjithmonë. Shpresoj të shkruani një status për këtë problematikë ”,- përfundon mesazhi i të riut.
Ndriçimi publik në Libohovë pothuajse nuk ekziston. Kur shtrohet si problem për qendrën, nuk bëhët fjalë për lagje të tjera. Të duash të udhëtosh natën nëpër lagje, duhet të mendohesh mirë sepse është sfidë më vete. Le pastaj të mendosh se ka edhe puseta pa kapak. Neonët ndriçues në qendër të Libohovës që bëjnë dritë, numërohen me gishtat e dorës, të tjerët nuk punojnë. Në orët e mbrëmjes, ai pak ndriçim në Libohovë vjen kryesisht prej bizneseve aty pranë. Situata ka disa kohë që ështe e tillë, por akoma nuk është marrë ndonjë masë për zgjidhjen e këtij problemi të krijuar këto 2-3 vitet e fundit.
Shënim: Duke marrë shkas nga mesazhi i mësipërm, ftojmë këdo që kërkon të pasqyrojë një problematikë apo ngjarje të caktuar në këtë faqe, që të na shkruaj në Facebook. Libohova Online është një blog i hapur, një forum online i pavarur, që synon të kthehet në një pikë referimi për rajonin e Gjirokastrës sa i përket informacionit dhe promovimit. Në këtë faqe ka hapësirë mendimi për këdo, pavarësisht orientimit krahinor, politik, etnik apo seksual. Përveç informacionit, LibohovaOnline është edhe një hapësirë ku mund të promovoni biznesin dhe idetë tuaja. Që në ditët e para të lançimit në web, kjo faqe lexohet mesatarisht nga rreth 1 mijë persona në ditë. Na kontaktoni në Facebook për gjithçka dhe stafi që punon për këtë faqe do ju ofrojë shërbimin që kërkoni.