Libohova vendos sot, Altin Çomo ose Luiza Mandi
Libohova vendos sot mes Altin Çomos dhe Luiza Mandit. Qytetarët me të drejtë vote do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryebashkiakun e ri, që do të drejtojë në katër vitet e ardhshme Bashkinë e re të Libohovës.
Qendrat e votimit hapen në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllen në mbrëmje në orën 19:00 sikundër e parashikon Kodi Zgjedhor. Janë 12 qendra votimi në të gjithë njësinë e re vendore, ndërsa në Libohovë do të jenë tre të tilla. Një qendër në gjimnazin “11 Shkurti”, një në kopshtin e lagjes “Hoxhallarë” dhe një tjetër në ish-kinemanë e qytetit.
Pikërisht këtu, krahas qendrës së votimit është vendosur edhe KZAZ-ja e Bashkisë Libohovë, ku do të bëhet numërimi i votave. Nga 7158 banorë që ka Bashkia e re Libohovës, kanë të drejtë vote 5082 qytetarë. Një numër i konsiderueshëm emigrantësh kanë ardhur nga Greqia, për të marrë pjesë në zjedhje. Cilido prej kandidatëve që fiton do ta shoqërojë diçka që ndodh për herë të parë në Libohovë. Nëse fiton Altin Çomo, do të jetë kandidati i parë që merr tre mandate rresht.
Nëse fiton Luiza Mandi, do të jetë e para grua që do të drejtojë Libohovën. Sondazhe të ndryshme, përfshi edhe atë të Libohova Online, nxjerrin fituese kandidaten e koalicionit të majtë. Megjithatë gjithçka do të vendoset sot përmes votës. Libohova Online apelon qytetarët për maturi dhe angazhim që i gjithë proçesi të shkojë mirë. Ne do t’ju mbajmë të informuar gjatë gjithë kohës për zhvillimet e ditës.