Libohovë, 41-vjeçari humb jetën pas rrëzimit nga vinçi. Punonte për prerjen e rrepeve të thatë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Libohovë. Një punonjës i Bashkisë ka humbur jetën teksa po punonte për prerjen e rrepeve të thatë në qendër të qytetit.
41-vjeçari Genci Dervishi u rrëzua nga vinçi, me të cilin ishte ngritur në lartësi për të prerë degët e pemëve. I plagosur në gjendje të rëndë, ai u transportua drejt spitalit rajonal të Gjirokastrës, por pa mundur të mbijetonte për shkak të goditjes që kishte pësuar në kokë.
Mësohet se kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë. Prej dy ditësh po punohej për prerjen e rrepeve në sheshin përballë sarajeve të “Myfit bej Libohovës”. Pemët shekullore ishin tharë dhe përbënin rrezik për kalimtarët, prandaj Bashkia Libohovë kishte vendosur prerjen e tyre.