Libohovë, kontrollohen 3 lokale, sekuestrohen 9 makineri lojërash fati
Operacioni “Fund Marrëzisë” duket se vijon ende. Mbrëmë rreth orës 21:30 të mbrëmjes janë ushtruar kontrolle të befasishme nga policia për bllokimin dhe sekuestrimin e makinetave që përdoreshin në këto pika. Policia bllokoi tre pika ku ushtrohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit, ndërkohë që shoqëroi edhe personat përgjegjës të këtij biznesi.
Sic raporton Ora News, janë sekuestruar 9 makineri ne kontrollet e kryera ne 3 lokale, nderkohe qe jane proceduar penalisht 4 persona për organizim të llotarive të palejuara dhe vënie në dispozicion të lokaleve për to. Në lokalin e B.T u gjetën dhe u sekuestruan 4 makineri lojëra fati në pronësi të E.P nga Gjirokastra, që po procedohet penalisht. Në lokalin e E.M u sekuestruan 3 makineri lojëra fati dhe në lokalin e A.I u sekuestruan 2 makineri.
Më herët në vjeshtën e vitit të shkuar, kur edhe nisi në shkallë vendi operacioni “Fund Marrëzisë”, personat që kishin këto lojëra fati i mbyllën vetë, pa qenë nevoja e ndërhyrjes policore. Së fundmi ato ishin hapur sërish, ndërsa një natë më parë u mbyllën nga autoritetet shtetërore.
Në përfundim të veprimeve paraprake hetimore, mësojmë se policia do të dalë me një komunikatë zyrtare për të dhënë më shumë detaje rreth këtij operacioni. Bixhozi i pakontrolluar vitet e fundit kishte marrë një shtrirje të frikshme në të gjithë Shqipërinë. Makinat elektronike ku “provohej fati” ishin të përhapura edhe në fshatra, ndërkohë që në zonat urbane kishte pothuajse në çdo bar-kafe apo qendër interneti. Shumë njerëz të dëshpëruar nga papunësia dhe mungesa e perspektivës, në pamundësi për të mbushur kohën me diçka, por edhe për t’u “pasuruar lehtë ”, i faleshin këtyre lojërave.