Libohovë, ringrihet minarja e xhamisë në lagjen “Krakull”

Punimet e nisura në verën e këtij viti për rindërtimin e një xhamie tjetër në Libohovë kanë avancuar. Siç e shihni në foto minareja po shkon drejt përfundimit. Objekti i ri kultit për myslimanët është në lagjen “Krakull”, fare pranë vendit ku u çelë shkolla e parë shqipe në Libohovë.
Siç është mësuar më herët, kjo xhami ringrihet me nismën private të Ali Çunit, banor i asaj lagje, i cili ka pasur një prej të parëve të tij që shërbente dikur si hoxhë i asaj xhamie. Rreth një vit më parë në Libohovë përfundoi ndërtimi i një xhamie të re në lagjen “Teqe Mëhallë”, e cila u financua nga fondi kuvajtjan “Bejtuz Zekat”.
Ndërkohë që Libohovës po i shtohet edhe xhamia e dytë, ende nuk ka nisma konkrete nga komuniteti i besimtarëve të krishterë libohovitë apo edhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë për rindërtimin e ndonjë prej kishave të vjetra në këtë qytet. Një kishë në Libohovë do të plotësonte jo vetëm nevojat e atyre besimtarëve të krishterë, por në të njëjtën kohë do i jepte Libohovës edhe pamjen që sot kanë pothuajse të gjithë qytetet e Shqipërisë, ku krahas xhamive janë edhe kishat apo krahas kishave janë edhe xhamitë.
Pikërisht prezenca e këtyre objekteve të kultit flet më së pari për atë vlerë që ne krenohemi sot nëpër botë, bashkëjetesën fetare. © libohovaonline.com





