Librat për ‘Vorio Epirin’ në Universitetin e Gjirokastrës, reagon rektori Bektash Mema: Nuk kam dijeni!
Pas dokumentarit ‘Heronjtë luftojnë si grekë’ i realizuar tre vjet më parë nga Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin e Gjirokastrës, mbrëmë është regjistruar një tjetër skandal. Shefi i këtij departamenti, Panajot Barka, është ndaluar nga policia në Kakavijë pasi me vete kishte rreth 20 libra me përmbajtje për të ashtuquajturin ‘Vorio Epir’, libra të cilat do t’i çonte në Universitetin ‘Eqrem Çabej’. Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe rektori i universitetit, Bektash Mema.
I pyetur nga mediat, Mema ka thënë se nga Greqia ka ardhur shpesh herë literaturë për studentët, por në këtë rast ai nuk kishte fare dijeni që Panajot Barka do të sillte libra për departamentin e Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek. Në fakt kjo nuk është hera e parë që rektorët e universitetit të Gjirokastrës s’kanë dijeni për lëvizjet e Panajot Barkës. Kujtoni pak Gëzim Salën. As ai nuk kishte dijeni kur Barka i falsifikoi firmën për një projekt, çështje që më pas përfundoi në gjyq.
Po kështu rektori nuk kishte dijeni as për dokumentarin e tre viteve më parë, me përmbajtje antishqiptare, dokumentar i cili u publikua në faqen zyrtare të Universitetit ‘Eqrem Çabej’.