Ligji anti-duhan, nga 23 gushti gjoba edhe per duhanpiresit
Të gjitha subjektet private por dhe institucionet publike duhet të përgatiten për të mos lejuar askënd të konsumojë duhan në ambientet e tyre të mbyllura, pasi më 23 gusht hyn në fuqi ligji i ri anti-duhan, i cili me ndryshimet e bëra parashikon për herë të parë ndëshkim me gjobë edhe për duhanpirësin. Kreu i Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, Eltar Deda sqaron se puna për inspektorët ka nisur tashmë.
“Duke filluar nga 23 gushti nis rreptësisht zbatimi i ligjit. Nuk do ketë tërheqje, por do të ketë punë edhe nga gjithë inspektoratet e tjera të ngarkuara me ligj për ta bërë atë të zbatueshëm. Të gjitha trupat inspektuese do njoftojnë bizneset, do njihen dhe me ligjin që përcakton se subjekti tregtar krahas logos ‘no smoking’ do njihet edhe me masat ndëshkuese që parashikon ligji”, deklaron Deda. Kryeinspektori Deda shpjegon se zbatimi i ligjit do të shoqërohet edhe me një fushatë promocionale dhe subjektet do të informohen në mënyrë të detajuar lidhur me ndryshimet e bëra. Inspektorati Shëndetësor Shtetëror do të koordinojë punën me të gjitha inspektoratet e tjera që funksionojnë në vend. “Ne kemi përgatitur të gjitha trupat dhe ato janë gati të bëjnë përshkallëzimin e punës tonë. Fillimisht do të nisim me një punë promocionale që i detyron institucionet të kenë në faqet e internetit logon kundër duhanit. Nëse do të vërehet që pihet duhan, inspektoratet do të vendosin gjobën. Ai shtetëror do të monitorojë punën e gjithë inspektorateve”, nënvizon Deda. Ligji i ri anti-duhan parashikon ndëshkim me gjobë për personin që shkel ligjin, duke konsumuar duhan në ambiente të mbyllura në masën 5 mijë lekë, për administratorin e ambientit në masën 50 mijë lekë dhe për pronarin e subjektit në masën 300 mijë lekë./Dita