Ligji i ri, kush nuk paguan dritat do t’i merret shtëpia
Qeveria ka vendosur që aksionin e nisur për ndërprerjen e vjedhjes së energjisë dhe detyrimin e qytetarëve që të paguajnë energjinë elektrike, ta shoqërojë edhe me ndryshime ligjore.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin e ri, që i jep kompetenca OSHEE-së që nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike ndaj kompanisë, brenda afatit të caktuar në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike, nëpërmjet personave të autorizuar nga ana e tij, përveç inicimit të procedurave të ndërprerjes së energjisë, inicion procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm.
Qytetarët, të cilët i shmangen detyrimit për të paguar energjinë, rrezikojnë që t’u sekuestrohet edhe shtëpia apo biznesi që mund të kenë, deri në pagimin e plotë të faturave.