Llogarisni vetë se sa do ta keni pensionin sipas skemës së re
Tashmë çdokush mund të përllogarisë vetë vlerën e pensionit të pleqërisë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore kanë gati aplikacionin, i cili i mundëson çdokujt që përmes futjes së masës së pagës bruto të deklaruar ndër vite, në vetëm pak minuta, të mësojë sesa do të jetë masa e pensionit që do të marrë.
Programi funksionon në bazë të viteve që keni punuar dhe pensionit social, sipas formulës së re të pensioneve, që ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2015. Ai është funksional vetëm për llogaritjen e pensionit të pleqërisë, duke mos përfshirë rastet e veçanta apo llojet e tjera të pensioneve (invaliditeti, ushtaraku, etj.)
Ndërkohë që duhet të theksohet se vlera e përllogaritur është e përafërt me vlerën reale, çka do të thotë se mund të ketë ndryshime të vogla më masën reale të pensionit.
PËRLLOGARITJA
Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” ju vjen në ndihmë përmes një shembulli, i cili iu tregon të gjitha hapat që duhet të ndërmerrni për të përllogaritur masën e pensionit, online. Fillimisht ju duhet të klikoni në adresën www.cit.edu.al/pension/.
Menjëherë do t’ju hapet dritarja kryesore, që fillimisht ju kërkon të zgjidhni vitin në të cilin keni filluar punë, duke iu dhënë 3 opsione: para vitit 1994, nga viti 1994- 2014 dhe pas vitit 2014. “GSH” ka përzgjedhur të ilustrojnë shembullin e një personi që ka 36 vite vjetërsi punë, nga të cilat 14 vite i ka para vitit 1994 dhe 22 vite pas këtij viti, deri në vitin 2015. Kjo do të thotë se ne duhet të përzgjedhim opsionin e parë, pra para vitit 1994.
Pasi zgjedh këtë opsion, programi të kërkon të shkruash numrin e viteve të punës deri në vitin 1993, që në rastin tonë janë 14 si dhe zgjedhjen e fashës së pagës ku bën pjesë. Bëhet fjalë për 8 fasha të ndryshme që variojnë nga 2400-6500 lekë. Për të përzgjedhur fashën e saktë, ju duhet të konsultoheni me Vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili ka përcaktuar llojin e pagave sipas funksioneve përkatës që keni ushtruar në këto vite. Në rastin e shembullit tonë, ne përzgjedhin fashën e pagës 3500-3999 lekë e më pas klikojmë te “vazhdo llogaritjet”. Pas kësaj, programi të kërkon që të vendosen vlerat numerike të pagave bruto, që nga vitit 1994-2014. Për secilin prej tyre duhet të vendoset paga e deklaruar e secilit prej jush, ndërsa në shembullin tonë ne kemi përcaktuar një pagë bruto prej 35000 lekësh nga viti 1994- 2011 dhe një pagë bruto prej 50000 lekësh nga vitit 2002-2014.
Pasi plotësojmë secilën prej hapësirave, klikojmë te “vazhdo llogaritjet”. Këtu programi të kërkon që të plotësosh numrin e viteve që mendoni të punoni pas vitit 2014 dhe pagën bruto në këto vite, ndërsa ne kemi vendosur ‘1’ vit dhe pagën bruto prej 50000 lekësh. Pasi plotësohen edhe këto dy hapësira, ju duhet të klikoni te “llogarit” dhe në këtë mënyrë programi të nxjerr automatikisht masën e pensionit të pleqërisë që ju përfitoni.
Në rastin tonë, me të dhënat që ne kemi plotësuar, pensioni që ‘përfitojmë’ është në masën 26545 lekë. Megjithatë sistemi të rikujton se vlera e përllogaritur bazohet në parashikimet afatgjata ekonomike dhe si rrjedhojë shuma e shfaqur është e përafërt.