Lufta kundër terrorizmit, forca Antiterrori në Kakavijë
Policia shqiptare ka vënë në zbatim një plan të detajuar masash, që konsiston kryesisht në kontrolle të rrepta në kufi, në zbatim të bashkëpunimit me Policinë italianë në luftën kundër terrorizmit. Disa ditë pas vizitës së zv.drejtorit të Policisë së Italisë, kur u vendos krijimi i njësie të përbashkët kundër terrorizmit, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë punën, fillimisht me mbajtjen nën vëzhgim të shqiptarëve që kthehen nga Siria. Gjithashtu po monitorohen edhe grupime të ndryshme personash, që dyshohet se do udhëtojnë në rrugë ilegale për t’iu bashkuar luftimeve në Siri.
Masat e forcave të Antiterrorit, në bashkëpunim me Policinë e Rendit dhe atë Kriminale, si dhe shtimi i prezencës së Policisë, ka nisur fillimisht në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër. Në pikën kufitare të Kakavijës janë shtuar masat e sigurisë dhe survejimit nga agjentët e antiterrorit. Por, pas ngjarjeve në Francë dhe Belgjikë, masatmonitoruese janë shtuar për parandalimin e çdo ngjarjeje terroriste me protagonistë shtetas shqiptarë apo të huaj që kalojnë transit nga Shqipëria