Lufta vëllavrasëse e Libohovës në sytë e një dëshmimtari
Një prej deshmimtarëve okularë të asaj që ndodhi në lagjen “Loçan” të Libohovës, ishte edhe Neshat Bejleri. Në librin e tij me kujtime, ai e përshkruan kështu përplasjen e armatosur mes forcave komuniste dhe balliste:
“Në fillim askush nga ne nuk dëgjoi se ishte kurth.Pse aty ishin zgjedhur njerëzit si me dorë,që i nderonte i gjithë qyteti i Libohovës. Pastaj, të thuash të vërtetën, po të lexoje traktet që hidhnin komunistët në ato ditë të shkurtit 1944,ata vetëm bënin thirje për bashkim e vëllezërim në luftën e përbashkët kundër okupatorit. Por kur Shezo Myslimi thirri dhe kërkoi të shkonte aty Bedri Spahiu, atëhere si me komando drejt nesh u shprazën qindra armë njëherësh. Gjithshka kishte qenë një kurth.Pabesia komuniste po vërtetohej në mënyrë tragjike, duke marrë jetë njerëzish të pafajshëm.Ndërsa na godisnin me zjarr e hekur nga të gjitha anët,nacionalçlirimtarët e dini fort mirë se ne s’na patën kthyer pushkët.Ne patëm luftuar kundër okupatorit të huaj.Por ata na vrisnin për të zbatuar urdhërat e Dushanit. Goditja e pabesë dhe e pabarabartë zgjati rreth 4 orë. Ne iu kundërpërgjigjëm me ato pak pushkë e fishekë që kishim.Mundëm të shpëtonim nga nata dhe shiu vetëm 3 vetë. Tragjedia e Loçanit nuk duhet të harrohet”,- shkruan Neshat Bejleri.
Masakra e “Loçanit” në Libohovë mori shumë jetë burrash e djemsh. Mes viktimave ishin Shezo Myslimi, Arshi Peça, Enver Hyso, Teme Hyso, Ram Rustemi, Sherif Hunda, Islam Ruçi, Izet Tosuni, Teki Kodra, Vedat Lulushi, Daut Karavidha, Baftjar Havo, Braho Bano, Sulo Bilibashi, Bajram Leko, Neshet Shuti etj. Në përkujtim të këtyre viktimave, në “Loçan” është ngritur një lapidar, ku janë shënuar edhe emrat e të rënëve.