Luftëtari drejt Europës me dyshen Abazaj-Bregu, fiton edhe kundër Vllaznisë
Luftëtari vazhdon rrugëtimin drejt ëndrrës historike të pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare në verë, pasi është ngjitur në vendin e tretë në renditjen e Superiores me fitoren 2-0 ndaj Vllaznisë në Shkodër. Një rezultat që lumturon gjirokastritët, por që zhyt më keq shkodranët, të cilët e shohin veten të mbeten përsëri në zonën e ftohtë të klasifikimit duke rrezikuar seriozisht rënien.
Ndeshja është vendosur nga dyshja që po udhëheq gjirokastritët në këtë sezon, Abazaj-Bregu, të cilët kanë finalizuar me saktësi në portën vendase në pjesën e dytë duke shuar shpresat e tyre. Vllaznia ishte e pafuqishme që të reagonte, duke vënë rrallëherë në vështirësi portën kundërshtare. Ndërsa Luftëtari, duke u bazuar edhe në cilësitë e emrave si Rroca e Ramadani, ka arritur të administrojë lojën dhe të marrë tri pikët që i nevojiteshin nga ky takim i vështirë në transfertë.