Luftëtari nën hetim nga UEFA, kanë shitur ndeshjet në kupat e Europës
UEFA ka hapur një proces hetimor ndaj Luftëtarit, ku ka hapur investigimet për ndeshjen që gjirokastritët luajtën në Europë në verën e 2018-ës, kundër letonezëve të Ventspils. Siç e kishte lajmëruar ekskluzivisht “Panorama Sport” në shkrimin e datës 27 dhjetor 2018, prej këtij hetimi të nisur, Luftëtarit i ishin bllokuar edhe 240 mijë eurot që i takonin për pjesëmarrjen në turin e parë.
Sistemi BFDS (sistemi kompjuterik i UEFA-s që shërben për zbulimin e manipulimit të ndeshjeve) sinjalizoi luhatje e çuditshme dhe për këtë motiv ka nisur edhe ky proces, që në fakt ndodh rëndom në rast se ka dyshime. Deri në një vendim të dytë, edhe fondi i UEFA-s prej 240 mijë eurosh është “ngrirë” dhe kjo ka sjellë edhe një lloj problematike financiare në klubin gjirokastrit. Mosmarrja e fondit i ka nxjerrë drejtuesit jashtë planeve të përllogaritura më herët.
Ditën e sotme, është “Procesi Sportiv” që ka publikuar shkresën tronditëse që UEFA i dërgon FSHF-së, për ta njoftuar se Luftëtari është nën hetim pikërisht për ndeshjen ndaj Ventspils. Kujtojmë se bluzinjtë u ndeshën me letonezët e Ventspils dhe nëse në ndeshjen e parë u thyen me shifrat 5-0, në kthim barazuan në rezultatin 3-3.
Dhe duhet thënë se ishte pikërisht takimi i zhvilluar në Shqipëri që u shoqërua me hije të forta dyshimi, referuar edhe luhatjeve të frikshme të koeficientit. Bluzinjtë, edhe pse në disavantazh 1-2 deri në minutën 54-t, arritën që ta përmbysnin rezultatin në 3- 2, ndërsa në të 90-ën shifrat u fiksuan në 3-3./Panorama