Luiza Mandi: Emigrantët e karantinuar në Libohovë nuk janë bartës të Covid-19, s’ka asnjë rrezik për banorët. Ky është një angazhim humanitar
Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, ka reaguar përmes një deklarate pasi në shtëpinë e të moshuarve në këtë qytet, nisi strehimi i emigrantëve që e kanë të detyruar karantinimin për dy javë. Ajo thotë se s’ka asnjë rrezik për përhapjen e Covid-19 dhe se ky angazhim humanitar është shumë i rëndësishëm në luftën e përbashkët kundër koronavirusit. Sipas saj momentalisht janë të strehuar 4 persona në këtë rezidencë.
Deklarata e plotë.
? Prej mbrëmjes së kaluar Libohova është përfshirë në hartën e bashkive të tjera të qarkut, ku po strehohen përkohësisht shtetas shqiptarë të kthyer nga Greqia përmes Kakavijës, të cilët e kanë të detyruar të qëndrojnë të karantinuar për 14 ditë.
? Kjo është një masë e domosdoshme e përcaktuar nga ekspertët për të parandaluar përhapjen e Covid-19. I vetmi ambient i përshtatshëm në Libohovë ishte shtëpia e të moshuarve, që ne e kemi vënë në dispozicion të kësaj gjendje të jashtëzakonshme. Momentalisht janë strehuar 4 persona, mes tyre edhe dy gra. Mbase në ditët e ardhshme do të ketë persona të tjerë, gjithmonë duke iu përmbajtur kapaciteteve që ofron kjo rezidencë.
? Dëshiroj të sqaroj bashkëqytetarët dhe opinionin publik, se nuk ka asnjë rrezik për Libohovën ky angazhim humanitar. Po bën të njëjtën gjë Gjirokastra, Dropulli, Përmeti e Tepelena si qytete pranë portës hyrëse me Greqinë. Ata që karantinohen në këto objekte publike apo private, nuk janë persona të infektuar me Covid-19, por për shkak të protokolleve mjekësore është parë e udhës që të qëndrojnë të karantinuar për dy javë. Qarku Gjirokastër si rajon kufitar me Greqinë, do të mbajë barrën e gjendjes së krijuar në Kakavijë për shkak të izolimit.
? Kush mund të rezultojë bartës i virusit shkon direkt në Spitalin Infektiv, s’ka se si të qëndrojë në Libohvoë apo ambiente të tjera të qarkut. Unë e mirëkuptoj shqetësimin që mund të ketë dikush, por ky është momenti t’i thërrasim arsyes dhe jo emocioneve e aq më keq panikut, i cili është aleati më i keq në këtë pandemi. Kjo situatë e vështirë që po kalon mbarë bota, përveçse na kërkon të jemi vigjilentë e të respektojmë masat kufizuese, duhet gjithashtu edhe të tregohemi solidarë me bashkombasit tanë.
? Libohova do të bëjë pjesën e vet në këtë angazhim të rëndësishëm. Kjo është një dëshmi e qartë e përgjegjshmërisë që ne po tregojmë karshi kësaj situate dhe besoj se është vlerë e shtuar në gjithë përpjekjen e përbashkët për të dalë të fituar nga pandemia.