Makinat me timon anglez nuk do të lejohen më në Shqipëri
December 15, 2014
Makinat e prodhuara për Britaninë e Madhe, ose siç njihen makinat me timon nga e djathta, nuk do të lejohen të regjistrohen më në Shqipëri. Ato mund të qarkullojnë në territorin tonë provizorisht, por nuk do të pajisen me targa dhe dokumentacion shqiptar. E thënë ndryshe, makinat me timon nga e djathta do të ndalohen të futen dhe të regjistrohen në Shqipëri.
Këtë vendim e mori sot komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, i cili miratoi gjithashtu edhe ndryshime të tjera ligjore, si ai për gjobat e kalimit të semaforit me të kuqe, të cilat do jenë 20 deri në 30 mijë lekë të reja.
Makinat me timon nga e djathta, të cilat hasen me shumicë në rrugët e Shqipërisë, janë shkak i shpeshtë për aksidente. Këtë vendim e pati marrë rreth katër vjet më parë edhe Kosova, ku gjithashtu këto makina ishin me shumicë, madje shërbenin edhe si taksi. Ndërrimi i krahut të timonit në këto mjete kushton nga 1.500 deri në 2.000 euro.