Mandi me ministren Kumbaro: Rikonstruksion e promovim për Kalanë dhe shtëpinë e Avni Rustemit
Kandidatja e koalicionit të majtë për Bashkinë Libohovë, Luiza Mandi përmes një shënimi në faqen e saj në Facebook, tregon për vizitën në Kalanë e Libohoves dhe shtëpinë e lindjes së Avni Rustemit. Ajo shoqërohej në këtë vizitë nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Drejtori i Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Albert Kasi. Vizita është realizuar ditën që ministrja Kumbaro ishte në Libohovë bashkë me kryeministrin Rama. Mandi thotë se ka gjetur gjithë mbështetjen e ministres dhe qeverisë që pas marrjes së detyrës si kryebashkiake të nisë punën për rikonstruksionin e këtyre dy monumenteve.
“Janë dy monumente të lëna në harresë prej vitesh, nga paaftësia dhe sigurisht indiferenca e atyre që e kishin për detyrë. Unë nuk kam dëshirë të bëhem pjesë e polemikave të atyre që e kishin gjithë kohën në dispozicion për t’i kthyer në identitet këto monumente me vlera, por ju siguroj që pas 21 qershorit këto Kalaja e Libohovës dhe shtëpia e Avni Rustemit, do të rikonstruktohen dhe do të jenë të vizitueshme. Si publikisht, ashtu edhe privatisht, mora mbështetjen e ministres Kumbaro për të ndërhyrë në këto monumente. Fjala ime do të jetë puna, prandaj kërkoj mbështetjen tuaj me votë, në mënyrë që t’i japim Libohovës atë që meriton”- shkruan Mandi.