Manuali i Maturantëve, ja çfarë duhet të dinë para provimeve

Maturantet-provim_8Maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që në periudhën 16 deri 22 prill, të paraqiten pranë shkollës ku kanë bërë plotësimin online të formularit A1, për të bërë verifikimin e të dhënave personale të afishuara te këndi i maturantit. Pas verifikimit të kryer, nëse konstatojnë gabime në të dhënat personale, duhet njoftojnë me shkrim kryetarin e KSHMSH-së. Kjo është një ndër pikat më të rëndësishme, që shënohet në Manualin e Maturantit 2015, që pritet të publikohet nga Ministria e Arsimit edhe Sportit këto ditë. Por si bëhet aplikimi online i formularëve A1 dhe A1Z? Si duhet që të operojnë maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit shkollor 2010-2011, dhe që nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje, ose që nuk kanë rezultuar jokalues?Manualin e Maturantit të gjithë kandidatët do të njihen dhe informohen rreth interpretimit të disa neneve të Rregullores dhe Udhëzimeve të lëshuara nga MAS për Maturën Shtetërore 2015.

Aplikimi online me formularin A1

Formulari A1 plotësohet online vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2014-15. Aplikimi është realizuar sipas një kalendari të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe publikuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve në faqen e saj zyrtare. Aplikimi përfundon në Portalinhttp://matura.akp.gov.al/site/ brenda datës 31 Mars, sipas kalendarit të publikuar nga AKP-ja, edhe kryhet në mjediset dhe shkollat ku maturanti kryen ose ka kryer arsimin e mesëm, ose të lartë. Plotësimi i formularëve ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet  “mbikëqyrës”, i cili udhëzon dhe sqaron maturantët për aplikimin me formularët A1, mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2015, si dhe udhëzimin nr. 1 dt 12.01.2015, “Për zhvillimin e provimeve të maturës shtetërore 2015”. Lista me të dhënat e marra nga plotësimi i formularit printohet, nënshkruhet nga maturanti, mbikëqyrësi dhe vuloset nga drejtori i shkollës.

Aplikimi online me formularin A1Z

Formulari A1Z plotësohet online nga të gjithë kandidatët/maturantët që: Kanë rezultuar jo kalues në provimet e mëparshme të Maturës Shtetërore dhe kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë, para vitit 2015. Kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë, jashtë vendit dhe kanë bërë njehsimin e diplomës në MAS, bazuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2015. Aplikimi do të bëhet sipas në kalendari të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe publikuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve në faqen e saj zyrtare.

Plotësimi online i Formularit A1Z, në dy faza: Në portalin qeveritar www.e-albania.al është mbyllur në datë 15 mars, ndërsa në portalin http://matura.akp.gov.al/site/ brenda datës 31 mars, sipas kalendarit të publikuar nga AKP-ja kryhet në mjediset e mëposhtme: Në shkollat ku maturantët kanë kryer arsimin e mesëm të lartë; në shkollën e përcaktuar nga KMSh-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur. Në këtë rast kandidati duhet të paraqesë pranë KSHMSH-së dokumentet e mëposhtme: Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve të Maturës; kopje të noterizuar e dëftesës së pjekurisë/vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me  fotografi /certifikatën e maturës me notat e të gjitha  viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentit të lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga titullari i DAR/ZA-së. Kandidatët që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2010-2011 dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje ose kanë rezultuar jokalues, por që dëshirojnë të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në IPAL, duhet t’i japin ato.

Kandidatët e Maturës Shtetërore 2006-2014, aplikojnë për në IPAL, bazuar në rezultatet e viteve të mëparshme të Maturës Shtetërore, nëse pas verifikimit nga AKP rezulton se në maturat e mëparshme nuk janë shpallur fitues, apo janë shpallur fitues dhe nuk janë regjistruar, apo janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar, por këtë duhet që ta vërtetojnë nga dekanatet përkatëse me shkresë zyrtare në AKP. Fleta origjinale e çregjistrimit dorëzohet në AKP para aplikimit me formularin A1Z, që të bëhet i mundur çregjistrimi në sistemin e Maturës dhe heqja e numrit të matrikullimit. Fotokopja e fletës së çregjistrimit dorëzohet në shkollën ku do të bëjë aplikimin online me formularin A1Z.

Aplikantët që do të plotësojnë formularin A1Z duhet të plotësojnë një deklaratë personale ku të shprehen se nuk janë të regjistruar në asnjë program studimi në IAL, publike apo private. Kjo deklaratë dorëzohet në shkollën ku aplikojnë dhe KShMSh-ja përkatëse, jo më vonë se 2 ditë pas përfundimit të procesit të aplikimit me formularin A1Z i përcjell zyrtarisht në KMSh e DAZ/ZA-së.

Kush ka notë më të ultë se sa 4.5 nuk lejohet që të rijapë provimin

Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme, rezultatet janë më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë/lëndët në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i fundit. Në përllogaritjen e pikëve në sistemin meritë-preferencë për këto lëndë duhet të merren koeficientet e Maturës Shtetërore 2015.

Etapat

 

1-31 mars-plotësimi i formularit A1/A1Z

16-30 prill -Kontrolloni të dhënat personale në listat e afishuara në shkolla

Maj-qershor -Njihuni me datat e provimeve

Qershor-15 korrik -Informohuni mbi rezultatet e tyre

15-30 korrik -Aplikoni për Formularin A2

1-15 gusht -Libri i Transparencës

15-30 gusht -Lista e fituesve, faza e parë

1-10 shator- Lista e fituesve, faza e dytë

Shtator-tetor -sesioni i dytë i provimeve

15-20 tetor -Rezultatet e provimeve

Dokumentet për maturantët që kanë përfunduar  jashtë shtetit

 Shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që kanë kryer arsimin e mesëm ose të lartë jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet në IAL në Republikën e Shqipërisë, por duhet të ndjekin procedurat e mëposhtme.

Këta shtetas për të kryer njëvlershmërinë e arsimit të mesëm të lartë, paraqesin pranë Komisionit të Posaçëm në MAS deri më 15 prill 2015, këto dokumente: kërkesë aplikimi për njëvlershmëri diplome të shkollës së mesme. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit. Fotokopjen e dëftesës\ diplomës së shkollës së mesme (të përkthyer dhe të noterizuar). Fotokopjen e dëftesave origjinale të të gjitha viteve të shkollës së mesme (të përkthyera dhe të noterizuara). Dokumentin që vërteton dhënien e provimeve të barasvlershme me Maturën Shtetërore në Shqipëri. Në këtë dokument duhet që të jenë pasqyruar rezultatet për çdo lëndë të dhënë, provim kombëtar. Komisioni i Posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës/diplomës shkollore, përcakton indeksin e shkollës në referencë me tabelën e profileve institucioneve të arsimit të mesëm të lartë në Republikën e Shqipërisë. Ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit, përcakton notën për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur. Komisioni vendos nëse provimet e dhëna janë të barasvlershme me provimet e Maturës Shtetërore në Shqipëri apo kandidati do të japë provime për Maturën Shtetërore. Komisioni i jep kandidatit dokumentin e njëvlershmërisë, i cili e dorëzon pranë KMSh-së ku ka vendbanimin/lejen e qëndrimit për të aplikuar për A1Z, ose në AKP, nëse ka të gjitha detyrimet e Maturës Shtetërore, të shlyera deri në datën 5 maj 2015.

KMSh-ja, përcjell rezultatet e barasvlefshmërisë në shkollën, në të cilën kandidati do të bëjë aplikimin online. Në rastet kur kandidati ka detyrimin për të dhënë provime, KMSh e informon kandidatin për provimin/et dhe shkollën ku do të plotësojë formularin A1Z. Në rastet kur kandidati nuk ka detyrime, plotëson formularin A1Z në shkollën e caktuar nga DAR/ZA. Afati i plotësimit të formularit A1Z për këtë kategori kandidatësh është data 10 maj. Edhe plotësimi i këtyre formularëve ndiqet nga një “mbikëqyrës”, i cili sqaron maturantët për hapat e mëtejshëm që duhet të ndjekin.

 Detyrat dhe të drejtat e maturantit

 

Duhet të paraqiten në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit i pajisur me kartën e identitetit ose pasaportën biometrike;
Duhet të plotësojnë testin me stilolaps me një ngjyrë (të zezë ose blu);
Në pyetjet me alternativa duhet të rrethojnë në test vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse rrethojnë më shumë se një alternativë, ose nuk rrethojnë asnjërën alternativë, vlerësohen me 0 pikë;
Nëse janë me aftësi të kufizuara, të përkohshme ose të përhershme duhet të kërkojnë t’ju krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit;
Nëse nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë, duhet të kërkojnë nga përgjegjësi i administrimit të provimit (PAP) të autorizojë një person jo të profilit për plotësimin e testit, sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti;
Nëse jenë të paraburgosur, duhet të kërkojnë t’ju sigurohen kushtet për zhvillimin normal të provimeve në mjedise të posaçme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të autorizuar të policisë pa uniformë dhe pa armë;
Duhet të firmosin për dorëzimin e testit në listën që disponon administratori i provimit (AP);
Nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Nëse mbarojnë provimin përpara kohës së përfundimit të provimit, duhet të kërkojnë nga administratori të shkojnë në sallën e përcaktuar për raste të tilla;
Kur të vërejnë ndonjë shkelje të rregullores së provimit, duhet të informojnë AP, PAP dhe përfaqësuesit e MAS-it duhet që të kërkojnë fotokopjen e testit pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar KSHMSH-së, e cila do t’ju kthejë përgjigjen. Afatet e kërkesës përcaktohen me udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë.