Matura Shtetërore, dalin datat e provimeve dhe masat e marra
Zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, deklaroi se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë masat e nevojshme për provimin e gjuhës së huaj për 46070 maturantë nga i gjithë vendi.
Gjatë fjalës së saj, Malaj tha se sikurse në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore 2015, edhe për provimin e gjuhës së huaj janë marrë masat e nevojshme infrastrukturore, logjistike dhe mbështetëse, me qëllim garantimin e një procesi tërësisht normal dhe në përputhje me Rregulloren e Maturë Shtetërore 2015.
Ndërkaq, Malaj siguroi se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, do të garantojnë sigurinë dhe normalitetin në të gjitha qendrat e provimeve në vend. Ndersa Posta Shqiptare do të garantojë transportimin e materialeve të provimit në të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore.
Datat e provime të Maturës Shtetërore janë si më poshtë:
23 Maj –Gjuha e huaj
29 Maj- Gjuha shqipe dhe letërsi
9 Qershor- Matematika
19 Qershor – Provimet me zgjedhje
Si provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testi për secilin provim të detyruar përmban 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Maksimalisht janë 50 pikë. Maturanti nuk quhet kalues nëse merr me pak se 20% të pikëve.