Mbi vlerën e naftës dhe vlerën e Zagories
Nga Mero Baze/TemA
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pati sot një takim në Tiranë, për të debatuar rreth rreziqeve që sjell kthimi i Parkut Kombëtar të Zagories, në një zonë të shfrytëzimit të naftës, bazuar në një kontratë paraprake të qeverisë shqiptare me koorporatën SHELL. Debati ishte konstruktiv dhe në thelb i kërkon qeverisë shqiptare të zbatojë ligjet e shtetit shqiptar, për mbrojten e zonave të shpallur me prioritet turizmin malor dhe ruajtjen e identitetit të tyre kulturor, si dhe pasurive natyrore.
Nuk është se i përkas populistëve që zhurmojnë për çdo gjë, kur vjen puna në debatin mes nevojës për zhvillimin industrial të vendit dhe mbrojtes së natyrës, pasi vendi ka nevojë për të dyja, por detyra e qeverisë është të harmonizojë prioritetet për zhvillimin e vendit, dhe jo t’i përplasë ato.
SHELL është një kompani e respektuar ndërkombëtare, e cila duhet të sjellë në Shqipëri modelin se si investon një kompani europiane, dhe jo të sillet sikur ka shkuar në një vend të botës së tretë. Ajo vjen nga Hollanda, dhe në Zagorie, para SHELL kanë ardhur turistë nga Hollanda. Vjet në prill kam takuar rrugës nga Peshtani në Zhej drejtorin Politik të Ministrisë Jashtme të Hollandës, që kishte ardhur nga Hollanda për hiking në Zagorie.
Zagoria shqiptare është një vazhdim natyral i zonës më turistike në Europë, sa i përket turizmit malor. Nga Metcova në Konicë, e deri në Pogon, zona është e gjitha një treg shumë i zhvilluar turistik, ku është shfrytëzuar jo vetëm natyra e egër dhe e virgjër, por dhe identiteti kulturor i zonës, ndërtimet karakteristike të shtëpive të fshatrave me rrasa guri dhe natyrisht, izolimi malor.
Zogoria ëshët e vetmja pjesë e Shqipërisë, që ka fqinj vetëm disa qindra metra më tutje, një treg të ngritur të turizmit malor, dhe prioritet duhet të jetë zgjatja e këtij tregu në Shqipëri, dhe jo rrezikimi edhe i tregut grek të turizmit, përmes kthimit në një zonë të shfytëzimit të naftës.
Po ta merrte vesh shtypi hollandez këtë, do bënte zhurmë shumë më tepër se ne.
Shqipëria sapo ka përfunduar një vepër të madhe energjitike si gazësjellësi i TAP dhe sjellja e tyre ndaj trashëgimisë kulturore të zonës ku kaluan, është mbreslënëse, ashtu siç sillet një kompani perëndimore.
Zogoria është një identitet i fortë kulturor dhe historik, është zona me ndërtimet më unike të Kishave Ortodokse, të cilat fillojnë që nga koha e Justinianit, e deri tek bazilikat e famshme të Mesjetës. Kisha e Shënkollit në Peshtan në rrugën për Zagorie, është e vitit 1112, para ndarjes së madhe të Kishës në kohën e kryqëzatave. Kisha e Sheperit, e Hoshtevës, e Nivanit, Urat e Gurit mbi Zagorie nga Nivani në Limar, si dhe pylli i fundit i virgjër në Shqipëri që nis nga Peshtani në Zhej, janë pasuri unike kombëtare buzë një lumi të kaltër, që është praktikisht Valbona e Jugut për Shqipërinë.
Ndërkohë, guidat e para turistike në atë zonë janë bazuar pikërisht tek historia. Qysh në vitet ‘90, vizitorët e parë kanë ndjekur gjurmët e rrugëtimit të Lordit Bajron, nga Tepelena për në Janinë, dhe rrugëne karvaneve.
Zagoria shqiptare është pjesë e historisë më të dhimbshme të luftës italo- greke, dhe turizmi historik në zonë po ngjallet falë kësaj historie.
Në mënyrë të pabesueshme në zonë ka kështjella të vjetra të shekullit 4 para erës sonë, siç është ajo e Limarit dhe Kalas, Kisha të kohës së kryqëzatave, ura guri, vepra hidroteknike të mesjetës së hershme, që furnizojnë zonën me ujë dhe për vaditje, dhe pasuri të pafundme natyrore .
E di që askush nuk i ka marrë parasysh këto kur është firmosur me SHELL, por janë të gjithë në kohë t’i marrin parasysh dhe ta respektojnë këtë pasuri, që është dhe vlen për shqiptarët, më shumë se sa të ardhurat nga ndonjë pus nafte.
Mbi të gjitha, është keqkuptim i madh të kërkosh ta zhvillosh këtë zonë, duke bërë kantiere. Pasuria më e madhe e kësaj zone, është konservimi që i ka bërë varfëria dhe izolimi, dhe ne duhet të përdorim këtë aset. Ne nuk e konkurrojmë dot botën duke bërë hidrocentrale në Zagorie apo duke bërë rafineri nafte. Bota është e mbushur me gjëra të tilla. Ne e konkurrojmë duke konservuar një histori dhe urbanizim të vjetër të saj, dhe duke e përdorur atë në favor të banorëve të zonës atje. Pasuria më e madhe e Zagories është pikërisht fakti që varfëria ka mbrojtur zonën nga zhvillimi brutal dhe barazimi me pjesët e tjera të vendit.
Zagoria është një pasuri që ndërkohë e kemi, ashtu siç kemi të qartë, se si mund ta zhvillojmë atë. Nafta nuk është vlerë e shtuar e saj, është shuarja e saj.
Pas Forumit, ka pasur reagime shumë pozitive nga kryeministri Edi Rama rreth kësaj historie. Ai ka premtuar se nuk do të lejojë shpime pusesh në Zagorie dhe kompania SHELL e ka konfirmuar këtë. Por ata duan të kompletojnë studimin e zonës sa i përket rezervave të mundshme të naftës, përmes testeve gjeosizmike, që bëhen përmes shpërthimeve.
Ky është një lajm pozitiv, por dhe kjo fazë studimi ka nevojë për një tërheqje dhe rishikim të thelluar të mënyrës se si duhet të veprohet në atë zonë.
Është e qartë që SHELL, me aq sa pashë nga materiali që më ofruan, nuk ka bërë ndonjë studim serioz të mjedisit, dhe as ka marrë parasysh se ku po shkel. Prandaj është mirë që ta shikojë me detaje gjithë këtë proces. Ka shumë mënyra se si mund të bëhen testet dhe studimi i thelluar gjelogjik i bllokut në fjalë. Mbi të gjitha, duhet të kihet parasysh rreziku që ka për rezervat ujore ky eksperiment.
Ujërat e pijshëm të vargameleve të Zagories, janë ujra që burojnë nga formacione gëlqerore karstike dhe si të tilla, janë përfund maleve, në komunikim me njëra- tjetrën dhe tepër të ndjeshëm nëse preken në një pikë, pasi prek gjithë territorin. Ndërsa burimet e pakta në shpatet malore, vijnë nga ndërfutje argjilash mes gëlqerorëve, që janë shumë të brishta ndaj shpërthimeve dhe mund t’u bashkohen lehtë depozitave përfund maleve, duke rrezikuar dhe zhdukje burimesh.
Për gjithë këto arsye, sidomos për shkak të prioriteteve të zhvillimit të zonës, të trashëgimisë së saj dhe identitetit kulturor, për shkak të pasurive të konservuara natyrore, sidomos pyjeve dhe shtigjeve malore, por dhe për shkak të një rreziku afatgjatë për të ardhmen e burimeve ujore në zonë, do të ishte serioze që SHELL t’i rikthehej studimit kapilar të bllokut 4, që i ka akorduar për studim qeveria shqiptare, dhe të harmonizojë politikat e veta me prioritet e zonave, duke llogaritur specifikat e tyre.
Blloku 4 është koncept gjeologjik, por territori mbi të cilin shtrihet ky bllok, nuk është shkretëtirë, por një hapësirë me identitete të ndryshme dhe pasuri të ndryshme natyrore, kulturore dhe urbane. Ne duhet të peshojmë mirë se ku shkelim, ndryshe investimi do të jetë vrasës për zonën dhe një dëm i parikuperueshëm për një Shqipëri, që e ka shpëtuar varfëria dhe mund ta vrasë pasuria.