Me origjinë nga Libohova dhe Delvina, Kreshnik Merxhani kandidat për deputet i Vetëvendosjes në Gjirokastër (VIDEO)
Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka prezantuar Kreshnik Merxhanin si kandidat në Gjirokastër për zgjedhjet e 25 prillit. Ai u prezantua gjatë një konference për shtyp ku shpalosi disa nga pikat kryesore të programit të tij.
Merxhani tha se zhvillimi nuk mund të vijë vetëm përmes turizmit por duhet mbështetur edhe prodhimi vendas dhe nënvizoi gjithashtu si “alarmante” situatën e emigracionit në vend.
Ai kundërshtoi projektin e Bypass-it që po ndërtohet në Gjirokastër me argumentin se rrezikon monumentet e kulturës.
Kreshnik Merxhani është arkitekt dhe specialist i trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në vitin 2014 ai u emërua drejtues i Sektorit Teknik pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, zyrë në varësinë e Ministrisë së Kulturës.
Gjatë kësaj kohe, ka qenë arkitekti i projekteve, për restaurimin e Kalasë së Gjirokastrës e Libohovës, restaurimin e banesës së Eqerem Çabejt etj.
Në vitin 2016, ai dhe dorëheqjen nga ky pozicion pas mos-pajtimit me projektin e Bypass-it që kalon në qendrën historike të Gjirokastrës i cili u miratua nga Ministria e Kulturës dhe Agjensia Kombëtare e Planifikmit të Territorit.
Merxhani është kandidati i tretë që prezanton Vetëvendosja, pas Bojken Abazit në Tiranë dhe Iliaz Shehut në Lezhë.
Ata kanë nisur mbledhjen e firmave për t’u regjistruar në zgjedhje. Numri i firmave duhet të jetë sa 1 përqind e listës së zgjedhësve të zonës ku kandidon.