Më shumë se gjysma e grave të dhunuara i tërheqin paditë e tyre
Më shumë se gjysma e femrave, që kërkojnë urdhër mbrojtjeje, në gjykatë tërhiqen nga pretendimet e tyre se janë dhunuar nga bashkëshortët.
Të paktën këtë tregojnë të dhënat statistikore në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës, ku për periudhën Janar – 25 Tetor të këtij viti kanë depozituar padi për urdher mbrojtjeje 700 femra, ndërkohë që për 469 prej tyre gjykimi është pushuar, për shkak të mosparaqitjes së palës paditëse.
Eglantina Baxha është një nga ato femra, e cila ndërsa kishte një urdhër mbrojtjeje, bashkëshorti i saj, duke shkelur vendimin e gjykatës, gjen adresën e re të saj dhe e kërcënon së bashku me fëmijët se do t’i zhdukte.
Në këto kushte, gruaja tenton të vetëvritet duke pirë një sasi të konsiderueshme ilaçesh, por ndërhyrja në kohë e mjekëve i shpëtoi asaj jetën. Ardian Baxha arrestohet për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes të mbetur në tentativë dhe shkelje të vendimit të gjykatës, por bashkëshortja për çudi ndjek procesin ndaj tij duke kërkuar madje edhe pafajësinë e tij.
“Si çdo çift që ka konflikte me njëri-tjetrin nga gjendja ekonomike, na ka çuar deri në këtë gjendje duke arritur deri këtu. Unë nga depresioni që kalova arrita deri në marrjen e hapave vdekjeprurëse por Zoti më shpëtoi. Gjatë kësaj kohe kam qenë me urdhër mbrojtjeje nga frika se nuk kisha mbrojtjen e duhur, si çdo femër tjetër përpara një mashkulli. E kërkova urdhrin e mbrojtjes nga Gjykata e Shkodrës, e mora për 15 ditë, por në momentin që unë e kisha këtë urdhër ai u paraqit tek unë. Gjithsesi nuk ndodhi ndonjë gjë”, shprehet Eglantina Baxha, bashkëshorte e personit të kallëzuar.
Gjatë procesit penal, avokatja e 44-vjeçarit kërkon mëshirë, duke argumentuar se tashmë bashkëshortët janë pajtuar.
“Kërkoj mëshirë, se ishin kushtet që më detyruan të veproj kështu. S’kam me çfarë t’i rris fëmijët”, është shprehur ndër të tjera i pandehuri Ardian Baxha.
“I kujtojmë gjykatës se nuk e kemi sjellë këtu të pandehurin Ardian Baxha për veprën penale të dhunës në familje, e cila përmban në një nga paragrafet e saj dhe kanosjen serioze për jetën. Ne e kemi sjellë për shkaktimin e vetëvrasjes së mbetur në tentativë. Me ç’kuptuam nga mbrojtja dhe duke ditur rrethanat lehtësuese duket se edhe kërkon pafajësinë, ajo e pranon që ka pasur një episod të tillë”, shprehet përfaqësuesi i prokurorisë.
Pavarësisht gjetjes së gjuhës së përbashkët mes bashkëshortëve, përpara gjykatës vepra penale mbetet vepër penale, e për këtë gjyqtarja e dënon 44-vjeçarin me 5 vjet burgim.
“Ardian Baxha dënohet përfundimisht me 5 vjet burgim. Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, ulet 1/3-ta e dënimit duke e dënuar të pandehurin Ardian Baxha me 3 vjet e 4 muaj burgim”, ka dhënë vendimin gjyqtarja Ardiana Bera.
“Nuk e prisja këtë gjykim dhe dënimin e tij, sepse unë kam rregulluar çdo marrëdhënie me bashkëshortin tim”, tha Eglantina Baxha pas dhënies së vendimit. / TCH