Mediat serbe: Rrëzoni paragjykimet, vizitojeni Shqipërinë

100607957Mediat serbe, duke cituar oferta të agjencive turistike serbe, kanë thënë se Shqipëria, dikur njëri nga vendet më të izoluara në Evropë, në vitet e fundit ka hapur një derë të gjerë për turistët. Sipas tyre qytetarët serbë nga ky vend kthehen këndshëm të surprizuar.

Në një prezantim të një oferte nga superodmor.rs. (superpushime.rs), të cituar nga mediat serbe, u bëhet thirrje qytetarëve serbë që të përfitojnë nga një ofertë me anë të së cilës turistët mund të kenë mundësi të përjetojnë të ashtuquajturin “turne Skënderbeu”, transmeton Telegrafi.

Sipas ofertës së një agjencie serbe, marrëveshja përfshin shkuarjen në portin e Durrësit, vend i cili sipas medieve serbe ka qenë një vend i rëndësishëm i mbledhjes dhe transportit të ushtrisë serbe në luftën e parë botërore.

“Turneu Skënderbeu” zgjat katër ditë. Në rrugëtimin nëpër Shqipëri ju do të mund të bëni një natë në Ohër. Marrëveshja përfshin dy net në Durrës dhe një turne në këtë vend historik”, thuhet në një ofertë në të cilën gjithashtu jepen detaje rreth çmimeve dhe detaje tjera.

Në përshkrim gjithashtu thuhet se Durrësi është porti më i madh në Shqipëri, në pjesën perëndimore të bregdetit Adriatik të Shqipërisë, 39 kilometra nga Tirana. Sipas medieve serbe gjithashtu, ky qytet vlerësohet si një nga qytetet më të vjetra në Evropë dhe me plotë histori të trazuar. Në prezantimin e shkurtër, paraqiten edhe disa fotografi të Shqipërisë.