Mjeshtrat kolumbianë të kokainës hynë në Shqipëri nga Kakavija
Lirohet edhe një tjetër nga të arrestuarit e bandës së kokainës. Policia la sot të lirë Fatmir Hoxhën pasi nuk kishte prova për implikimin e tij në trafikun e kokainës dhe bandën e laboratorit të drogës që u zbulua dy ditë më parë në Xibrakë të Elbasanit. Dje iu hoqën prangat edhe Egest Dankësit, duke e çuar tashmë numrin e të arrestuarve në 9, ku 7 janë shqiptarë dhe 2 kolumbianë.
Mes të arrestuarve është edhe nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha i cili u prangos nga policia e Durrësit gjatë operacionit të forcave RENEA.
Ndërkohë mësohet se dy kolumbianët e kapur në laboratorin e drogës nuk ishin ilegalisht në Shqipëri. Ata rezultojnë të kenë hyrë në datën 14 nëntor nëpërmjet doganës së Kakavijës shoqëruar nga një shtetas shqiptar me inicialet A.GJ, që drejtonte një makinë me targa shqiptare. Pritet që nesër të arrestuarit për laboratorin e kokainës në Xibrakë të dalin para gjykatës për tu njohur me akuzat dhe masën e sigurisë./ora news