Momenti i vrasjes së Artan Santos (Video)
Për herë të parë një video e siguruar nga kamerat e vëzhgimit jep të plotë gjithë momentin kur është qëlluar mbi bankierin Artan Santo.
Lapsi.al publikon për herë të parë pamjet ekskluzive, të regjistruara nga kjo kamera e sigurisë që tregojnë qartë mënyrën se si është ekzekutuar bankieri Artan Santo, mëngjesit e 26 qershorit. Momentet tronditëse, janë duke u analizuar nga ekspertë të hetimit për të hedhur sadopak dritë mbi një nga vrasjet më të rënda në zemër të kryeqytetit.
Në këto pamje shihet Artan Santo, i cili mbërrin me makinë përpara bankës. Motorri e shoqëron nga pas, ndërsa një nga rojet e bankës i del përpara për t’i hapur derën e makinës. Santo qëllohet menjëherë sapo del nga dera e pasme e makinës së tij. Ai mundohet t’u shpëtojë plumbave duke vrapur, por nuk hedh dot më shumë se dy hapa. Pasi bie, vrasësi afrohet dhe, siç e tregojnë këto pamje, i jep goditjen e fundit në kokë nga fare pranë. Më pas largohet me armën në dorë duke kërcyer në motorrin që e priste.
Imazhet janë tepër shokuese, por janë të vetmet që tregojnë se si është realizuar atentati mafioz në qendër të Tiranës, në një zonë të rrethuar nga forca të policisë dhe gardës. Hetuesit po i analizojnë ato për të përcaktuar edhe përgjegjësinë e policisë që nuk ka mundur të ndalojë atentatorët. Polici rrugor që mbërrin me motorr, në të majtë, largohet me vrap sapo sheh skenën e ekzekutimit. Edhe rojet private të sigurisë, fshihen për të shpëtuar kokën. Nga ky hetim, pak ditë më parë, u mësua se përgjegjësi i zyrës operative në ministrinë e Brendshme, nuk ka qenë në vendin e tij të punës kur është dhënë njoftimi për atentatin. Kjo mund të ketë lehtësuar arratisjen e vrasësve.
Video, e gjatë 23 sekonda, përmbledh gjithë dëshmitë e dhëna deri tani dhe paraqet një pmaje të skenës së krimit, nga e cila hetuesit shpresojnë të arrijnë drejt zbulimit dhe zbardhjes së krejt ngjarjes.
Marrë nga www.lapsi.al