Moti i keq, degradon më shumë rruga drejt Zagories dhe Pogonit
Moti i keq i këtij fillim viti dëmtoi akoma më shumë rrugën që të çon drejt Zagories dhe Pogonit. Traseja e rrugës ka pësuar çarje në disa pjesë të saj, për shkak edhe të amortizimit ndër vite dhe mosvënies dorë për mirëmbajtje.
Banorët e zonës thonë për televizionin Gjirokastra, se rruga është në gjendje të mjerueshme, ndërsa i bëjnë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë për rikonstruksionin e saj.
Sipas tyre, Pogoni ka mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit për shkak të pozicionit gjeografik dhe klimës së mirë, por mungesa e rrugës i dekurajon jo vetëm vizitorët, por edhe ata vetë.
Pogoni dhe Zagoria janë dy komuna malore të qarkut Gjirokastër dhe për shkak të mungesës së investimeve, sidomos në infrastrukturën rrugore, një pjesë e madhe e banorëve janë larguar në emigracion apo qendra të mëdha urbane.
Me ndarjen e fundit territoriale, Zagoria i bashkëngjitet Bashkisë Libohovë, ndërsa Pogoni bëhet pjesë e Bashkisë Dropull.