Nardi Hide bën reagimin e parë publik: T’i japim njëri-tjetrit dorën, komunikimin që nisim sot ta kthejmë në vepra për Libohovën tonë

 

Kandidati i PS për Bashkinë Libohovë, Leonard Hide, ka bërë sot një reagim të parë në faqen e tij në Facebook disa ditë pas zyrtarizimit në garën e 14 majit. Teksa uron mirëmëngjes me një foto të kalasë së Libohovës, Hide prezanton faqet e tij në rrjetet sociale, si një dritare e re për të komunikuar sot e në vijim. Më poshtë deklarata e tij e plotë.

Mirëmëngjes të dashur miq nga Kalaja më e bukur në botë, nën hijen e së cilës kemi lindur e jemi rritur dhe ku kemi vendosur të rrisim dhe fëmijët tanë. Kjo është faqja ime e re në facebook për të komunikuar sa të mundemi më shumë bashkë. Siç më njihni e më dini, nuk i kemi ndërtuar marrëdhëniet tona në vite permes rrjeteve sociale, por drejtpërsëdrejti , duke u parë sy më sy e duke i dhënë njëri-tjetrit dorën e mirëbesimit, njerëzisht e me bindjen që të jep vendlindja dhe jeta e përditshme pa asnjë interes. Por angazhimi i ri publik si kandidat për te kryesuar Bashkinë e Libohovës, më jep përgjegjësinë që ta shtrijmë këtë komunikim mes nesh në çdo orë të ditës dhe me çdo banor të bashkisë tonë që punon e jeton nga Zagoria në Nepravishtë, nga Stegopuli në Bulo, nga Hoxhallara në Marinë, nga Suha në Drino, në kullota, në arë apo tej në Dropull a Gjirokaster apo edhe më tej në migracion a në emigracion. Unë nuk jam nga ata që flas shumë, por fjalet e zemrës nuk do t’i kursej dhe çdo fjalë tuajën do e skalis në mendje. Komunikimin që nisim sot edhe në rrjetet sociale, në rrugë a në avlli, shtëpi më shtëpi, e derë më derë, ta kthejme në punë e në vepra për Libohovën tonë.
Me shumë respekt
Nardi