Nardi Hide: Kundërshtarët tanë e pranojnë që jemi skuadra fituese. Çështja është sa thellë do fitojmë?!
Kandidati i PS për Bashkinë Libohovë, Leonard Hide, ka vijuar takimet me banorë të fshatit Drino për të kërkuar mbështetjen e tyre me votë në 14 maj. Teksa publikon disa foto nga takimi, Hide shkruan gjithashtu se fitorja është pak, por e sigurt. E madje sipas tij këtë e pranojnë edhe kundërshtarët politikë. Më poshtë reagimi i plotë i Hides.
Bashkë me Asim Banushin, një nga socialistët më të spikatur në Libohovë, patëm një takim te gjate e miqësor me disa banorë të fshatit Drino, që punojnë e përpiqen kaq shumë për fermat e tyre, për të shfrytëzuar çdo pëllëmbë toke e për të ngritur këtu një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Përkundër ndërhyrjeve në rrugë e në kanalet kulluese e vaditëse që janë bërë përgjatë këtyre viteve apo ndihmës me subencione për fermerët, ka ende probleme e investime që do t’i çojmë përpara së bashku.
Me mbështetjen e Qeverisë dhe me një menaxhim më të mirë të burimeve tona nuk kam asnjë dyshim që gjithçka realizohet. Tani kam vetëm fjalën dhe vendosmërinë për të dalë faqebardhë nga kjo sfidë. Lidhim bashkë një kontratë besimi për të dhënë provat se si këtë besim do ta transformojmë në punë që flasin më shumë se çdo fjalë. Që do të jemi skuadra fituese në 14 maj kjo është pak po e sigurt. E thonë dhe e pranojnë edhe kundërshtarët tanë. Çështja është sa thellë do fitojmë?! 💪🏻
#ProjektiRiPërLibohovën📍 #MePartinëSocialiste🌹 #MeNardin🤝