Nardi Hide: Libohova nuk duhet të kthehet prapa e as do të ndodhë. E dinë këtë edhe ata që kemi përballë!
Nga Leonard Hide
Me zyrtarizimin e kandidaturës sime dua të falënderoj Kryministrin Edi Rama, ministren e deputeten tonë, Mirela Kumbaro dhe Kryesinë e Partisë Socialiste për besimin e madh. Kjo është një mundësi e artë që mua më jepet për t’ju shërbyer qytetarëve të mi si përfaqësues i një force politike, e cila në vlerësimin tim si pjesëtari më i ri i skuadrës, është e vetmja e mirë që ka politika shqiptare të paktën në dekadën e fundit.
Jam vetë dëshmitar i transformimit që ka pësuar Libohova, i vëmendjes që s’ka munguar nga Qeveria sapo bashkia kaloi në drejtimin e duhur 8 vite më parë. Sfida ime personale është të përmbush këtë besim e privilegj të madh që më është bërë. Do të punoj e përkushtohem në çdo ditë të detyrës sime e do të jem në lartësinë e nevojave dhe pritshmërive të libohovitëve, zagoritëve, bulotëve, nepravishnjotëve, labovitëve, suhotëve dhe të gjithë banorëve të tjerë në fshatrat tanë.
Nuk ka nder më të madh sesa të të jepet mundësia t’ju shërbesh njerëzve të vendit tënd, të jesh i pari ndër ta e të punosh për vendlindjen. Jam shumë falënderues për këtë mundësi dhe do të bëj gjithçka duhet e mundet që çdo ditë pas 14 majit ta vë në shërbim të Libohovës.
E di që ju prisni shumë nga unë e nga Partia Socialiste sepse nga rivali im dhe kundërshtarët tanë nuk prisni asgjë. Me kokën lart dhe besimin e fortë te mençuria e libohovitëve, jam i bindur se do të dal faqebardhë nga kjo sfidë. Nuk është një sfidë vetëm e imja, por një përgjegjësi e përbashkët, një moment kritik për t’i thirrur me forcë arsyes, se Libohova nuk duhet të kthehet prapa e as do të ndodhë. E dinë këtë edhe ata që kemi përballë!