Ndahet nga jeta në moshë të re nëpunësja e Prefekturës Gjirokastër

Një nëpunëse e Prefekturës Gjirokastër ka ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë. Përmes një postimi në Facebook, Prefektura jep një mesazh ngushëllimi për Nertila Menin. Ajo punonte në këtë institucion që prej vitit 2013.

Mesazhi

Ndajmë me ju lajmin e hidhur për humbjen e parakohshme të koleges sonë znj. Nertila Meni, e cila humbi betejën me jetën nga një sëmundje e rëndë.

Nertila, që prej vitit 2013 ka punuar pranë institucionit të Prefektit të qarkut, ku ka dhënë kontributin e saj të vyer në pozicione të ndryshme. Në të gjithë veprimtarinë e punës së saj, ka treguar një shpirt të madh skuadre e bashkëpunimi si me kolegët e saj, po ashtu dhe me eprorët. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka shfaqur aftësi të larta profesionale, si një vajzë e përkushtuar për të përmbushur detyrat e saj institucionale dhe shoqërore. Administrata e institucionit të Prefektit të qarkut, gjatë kësaj periudhe të vështirë ka ofruar gjithë përkrahjen dhe mbështetjen morale e psikologjike për të përballuar këtë betejë me jetën.

Ajo do të kujtohet gjithmonë nga kolegët, miqtë dhe të afërmit, si një njeri me virtyte të larta njerëzore, e qetë, e qeshur dhe plot energji pozitive. Nertila ishte simbol i forcës dhe kurajos për ta sfiduar sëmundjen dhe përqafuar jetën.

Në këto momente të vështira të dhimbjes e të pikëllimit, institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Meni, të afërmve dhe miqve.