Ndahet nga jeta tragjikisht pedagogu i Universitetit të Gjirokastrës
Ndërron jetë papritur Drejtori i Hipotekës së Sarandës, Armand Hysi. Mësohet se Hysi, 44 vjeç ka qenë në zyrë kur dyshohet se ka pësuar një infarkt, çka ka sjellë dhe vdekjen e menjëhershme të tij. Përveç detyrës si drejtor i Hipotekës, Hysi ishte pedagog në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Sarandës.
Mësohet se miq dhe persona që ndodheshin pranë tij e kanë çuar me urgjencë në spital por gjithçka ka qenë e kotë. Burime nga spitali i Sarandës bënë me dije se 44-vjeçari ka mbërritur i pajetë.
Lajmi ka tronditur jo vetëm familjen por dhe miqtë dhe ata që e njihnin, pasi Hysi nuk kishte pasur më parë probleme shëndetësore dhe sipas miqve të afërt nuk ka pasur ankesa për shëndetin. Ai përflitej edhe si një nga personat e mundshëm për të qenë kandidat për kryetar bashkie në Sarandë nga Partia Socialiste.