Ndalimi i ish-kryekomunarit të Lunxhërisë, Bejko akuzon Zamira Ramin
Pas ndalimit nga policia të ish-kryetarit të Komunës së Lunxhërisë, Ilia Kuro, për mosdorëzim të makinës së komunës, ka reaguar edhe kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko. Përmes një shënimi në rrjetin social Facebook, Bejko akuzon kryebashkiaken Zamira Rami se ndalimi i Kuros është një ngjarje e stisur prej saj, për të mbuluar lajmin e avionit të drogës tha ai. Në fund e paralajmëron për një opozitë të fortë. Më poshtë reagimi i tij i plotë:
E turpshme tentativa e Kryetares së Bashkisë Gjirokastër zj. Zamira Rami për zellin e pafre që po tregon për ti parë kundërshtarët e saj politikë pas hekurave të burgut.
Dje me një denoncim të administratorit të Komunës Lunxhëri dhe me mbështetjen e zj Rami ka patur një tentativë për të arrestuar z.Ilia Kuro, ish kryekomunar i Lunxhërisë dhe aktualisht antëtar i këshillit bashkiak Gjirokastër me sebepin se nuk ka dorëzuar makinën e komunës.
Nëse z. Kuro do kishte përvetësuar makinën e komunës sot pa dyshim ai do ishte në burg dhe jo në shtëpi siç edhe është.
Makina e ish komunës është e prishur dhe duhej thjesht që administratori militant i komunës të merte një karoatrec në vend që të shkonte në polici e më pastaj kjo çështje nuk ishte bërë çështje mediash.
Ndërkohë që procesi i dorëzimeve në ish komunat ka kohë deri në dhjetor.
Po nuk mbulohet lajmi i avionit të drogës me këto palo veprime të pabesa o Zamira !
As kuturisja dhe hutimi yt që nuk po di ende nga dhe si ta nisësh punën e kryebashkiakes !
Nuk mjaftojnë veprime të tilla për të mbuluar as korrupsionin dhe as degjenerimin e pushtetit tuaj qëndror e lokal, as për të shërbyer si jorgan mediatik për të mbuluar drogën që ka jeshiluar fshatrat, malet, kodrat dhe buzëlumenjtë e jugut nën hyqmin e vet policisë së shtetit !
Janë ngjarje që nuk përbëjnë lajm veprimet inatçore me prapavijë politike.
Ju del boja shpejt, siç dhe i doli këtij xhesti të nxituar nga ana juaj.
Në vend të këtyre cicmiceve fillo të mendosh të mbash premtimet që ke bërë në fushatë se dështimi nuk do të kalojë lehtë siç paraardhësi yt në Gjirokastër.
Do kesh përballë një opozitë të fortë !