Ndarja territoriale, mediat greke: Po cënohet minoriteti
Debati shqiptar për Himarën dhe reformën territoriale ka mbërritur në Greqi, ku miratimi i draftit në këtë formë shihet me shqetësim.
Gazeta greke “To Vima” jep alarmin, duke shkruar se marrëdhëniet afatgjata mes Greqisë dhe Shqipërisë pritet të tronditen, pas miratimit të reformës së ardhmshme territoriale për të cilën nënvizohet se “kërcënon demografinë e minoriteteve greke në Shqipëri”.
Për median greke problemi kryesor duket se rrjedh nga ndryshimet e planifikuara në Himarë, ku sipas saj, ndodhet një minoritet i rëndësishëm grek.
To Vima shkruan se “Me planet e qeverisë shqiptare, bashkimi i zonave minoritare me zona të tjera do të ndryshojë ekuilibrat fetare dhe kombëtare”, madje për të theksuar debatin në Shqipëri gazeta thotë se në vend është vënë re një rishfaqje e nacionalizmit, që i komplikon bisedimet.
“Qeveria greke argumenton se ky lloj bashkimi apo shkrirje komunash në Shqipëri, nuk ka asnjë qëllim praktik dhe kërkon një zgjidhje miqësore”, shkruan To Vima e cila gjithashtu rikujton disa prej çështjeve të nxehta të negociatave me Shqipërinë, përfshirë atë të kufinjve detarë.