Ndjekje penale për tre doganierë të Kakavijës, lejuan mall kontrabandë nga Greqia
May 6, 2015
Pezullohen nga puna tre doganierë të Kakavijës dhe dërgohën për ndjekje penale. Një ditë më parë, Rubin Shehu, Roland Mërtiri dhe Vladimir Dhima lejuan dy furgona të ngarkuar me fruta-perime të hynin në territorin shqitpare pa kryer më parë zhdoganimin e mallit.
Burime nga policia bëjnë me dije se dy furgonat me targa IMN 326 (Greke) dhe AA 623 KE, u ndaluan në rrugën kombëtare Kakavije-Gjirokastër, teksa po udhëtonin në drejtim të Fierit.
Ngarkesa e mallit kushtonte rreth 5 milionë lekë dhe vinte nga Greqia. Momentalisht dy furgonat janë të bllokuar në doganën e Fierit. Ndaj tre doganierëve rëndon akuza për “shpërdorim detyre”.