Në kujtim të profesorit të shquar Jorgo Malitës
Nga Thanas Verdhi
Më 11 gusht të këtij viti, u nda papritur nga jeta në moshën 74 vjeçare profesor Jorgo Malita. Për 52 vjet me radhë, ai ishte një nga profesorët më të shquar të Universitetit të Tiranës dhe, padyshim një nga më të shquarit në rang kombëtar. Asnjeri s’e pa Jorgo Malitën në shtrat, të sëmurë, që të mendonte se jeta dhe vdekja ndjekin rrugën e tyre natyrale. Ai vdiq “ në këmbë “, ashtu siç e mbajmë mend të gjithë, madhështor e të pamposhtur.
E kam njohur që fëmijë Jorgo Malitën, se jemi rritur në të njëjtën lagje në Libohovë. Ai që kur ishte nxënës në shkollën 7 vjeçare, shquhej për inteligjencë të admirueshme dhe personalitet të fuqishëm. Mësuesit shihnin tek ai një djalë me aftësi të ralla që kishte kaluar me kohë nivelin e bashkëmoshatarëve. Në Gjimnazin e Gjirokastrës u kristalizuan përfundimisht prirjet e tij për shkencat ekzakte dhe, kryesisht për matematikë. Ai ishte padyshim një nga nxënësit e shkëlqyer që nxorri ajo shkollë gjatë gjithë ekzistencës së vet. Studimet universitare në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Degën e Matematikës, ishte një konfirmim që Malita ishte i “prerë” për shkencat ekzakte. Përfundimi i studimeve në vitin 1961 dhe, emërimi profesor në universitet, ishin shpërblimi më i madh për këtë djalë të talentuar asokohe 22 vjeç. Që në vitet kur ishte student, në bashkëbisedim me miqtë e tij, kur Jorgua vinte me pushime në Libohovë, fliste me superlativa për një grup profesorësh që kishin themeluar Katedrën e Matematikës si Pilika, Turdiu, Fundo, Kraja, Minga, Karçanaj e ndonjë tjetër, një pjesë prej të cilëve e më konkretisht tre të fundit i “ gjeta “ shumë të rinj në moshë , kur unë fillova studimet në vitin 1970 në atë fakultet
Me një energji të admirueshme, por edhe me një staturë për t’u patur zili, Jorgo Malita u “rreshtua“ krahas profesorëve më të shquar të matematikës, një pjesë e të cilëve ishin edhe profesorët e tij, për të cilët ai kishte respekt e nderim të veçantë. Për më shumë se 50 vjet, Jorgo Malita kishte padyshim vendin e respektuar në rrethin e ngushtë të profesorëve më me autoritet dhe, prezenca e tij në Universitetin e Tiranës, e nderonte atë institucion të dijeve në mënyrë të padiskutueshme. Në vite, ai drejtoi Katedrën e Matematikës në Fakultetin e Inxhinierisë dhe, ishte figura qendrore në atë Fakultet. Pavarësisht se kishte disa vjet që kishte dalë në pension, profesor Malita vazhdonte të jepte mësim si i jashtëm, mbasi prania e tij konsiderohej nga kolegët si e domosdoshme.
Leksionet dhe një serë tekstesh të shkruara për Fakultetin e Inxhinierisë nga profesor Jorgo Malita janë nga kreu në fund të nivelit maksimal. Leksione dhe tekste tepër të sakta, me fraza perfekte dhe elegante, të shkruara mjeshtërisht. Breza të tërë studentësh kanë mësuar me ato tekste. Jorgo Malita ishte mjeshtër i fjalës dhe, çdo gjë e shkruar prej tij, mbeten në çdo kohë modeli më i përsosur i krijimit të këtij intelektuali me formim të plotë dhe të gjithanshëm.
Jorgo Malita ishte njeri i veçantë. Kishte karakter të fortë dhe vullnet të hekurt, cilësi këto që konvergonin me një profil të mirëfilltë intelektuali që, sa ta shihje ballafaqoheshe me një burrë elegant e me personalitet të spikatur. Portreti i tij mbeti pothuajse i pa ndryshuar në kohë, sikur vitet që kalonin nuk e preknin, por kalonin “tangent” e pa e prekur atë.
Tani që Jorgo Malita s’është më midis nesh, mungesën fizike të mikut tonë do ta kompensojmë duke e kujtuar atë vazhdimisht si një personalitet të spikatur në shkencat e matematikës dhe, që na ka lënë një vakum të pazëvëndësueshëm në zemrat tona.
U prehsh në paqe, profesor Malita !