Në muzetë e Gjirokastrës së gurtë
Megjithëse qyteti i Gjirokastrës është pjesë e UNESCO-s dhe një element i preferuar në guidat turistike, në kontrast me vlerat historike, arkitektonike dhe kulturore që mbart ka një numër të vogël muzeumesh. Përpara viteve ’90-të, në qytetin e Gjirokastrës vizitorët vendas dhe të huaj, grupet turistike që mbërrinin në atë kohë në qytetin e gurtë kishin mundësinë të vizitonin 7 muzeume. Pjesë më e madhe e tyre përmblidhte elementët propagandistikë të edukimit të atyre viteve, por ndërkohë vitrinat e tyre ofronin informacion në fusha të ndryshme, pavarësisht se gjithmonë brenda klisheve të kohës.
Aktualisht, qyteti i Gjirokastrës ofron për vizitorët Muzeun Kombëtar të Armëve, të vendosur në mjediset e kështjellës së gurtë, muzeun “Kronikë në gur” dhe Muzeun Etnografik të vendosur në mjediset e një banese karakteristike në lagjen Palorto, e cila është edhe shtëpia e lindjes së ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Aktualisht, Muzeu i Armëve vetëm zyrtarisht ka emrin kombëtar, pasi statusi i tij real dhe financimet për të janë në rrafsh lokal. “Ky muze paraqet nevoja urgjente, jo vetëm për infrastrukturën e tij, por edhe për rikontruksionet e ambientit në të cilin është vendosur. Ai ka nevoje për rinovim dhe ridimensionim të vetin, në shërbim të zhvillimit të turizmit”,- thonë drejtuesit e muzeumeve në Gjirokastër. Muzeu Etnografik në lagjen Palorto, falë ndërhyrjeve të vazhdueshme është njw mjedis i veçantë i kërkuar mjaft nga turistët. Në mjediset e tij janë ekspozuar elementë të ndryshëm karakteristik të trevës së Gjirokastrës si kostume popullore, punime artizanale në tekstil, hekur, dru dekorativ etj,. Ndërkohë edhe mjediset e tij të brendshme janë në përputhje me elementët arkitektonik dhe profilin e një banese karakteristike gjirokastrite. Grupet e vizitorëve vendas dhe të huaj vazhdon ti tërheqë gjithmonë fakti që kjo është edhe shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, çka për ta përbën një kërshëri dhe kuriozitet të veçantë.
Problematika e muzeumeve
Sipas specialistë të turizmit “duke u ballafaquar me situatën aktuale qyteti i Gjirokastrës ka nevojë për një rikonceptim përsa i përket objekteve dhe vlerave të muzeumeve”. Tashmë pjesë e guidave të UNESCO-s Gjirokastra vazhdon të tërheqë gjithmonë e më shumë vizitorë. Padyshim pjesë e udhëtimit të tyre në këtë qytet është edhe njohja nga afër e elementëve të veçantë të tij, jo vetëm thjesht historik por edhe arkitektonik, etnografik, kulturor, etj. “Muzeumet nuk duhet të jenë thjesht objekte që pasqyrojnë pjesëza dhe çaste historike por duhet të jenë pjesw e resurseve dhe potencialeve të qytetit në zhvillimin turistik të tij”,- thotë historiani Vladimir Qirjaqi. Këndvështrimi i pasurive muzele të qytetit të gurtë në këtë drejtim do të bënte të mundur që këto kapacitete të vendoseshin në zhvillim të turizmit, çka natyrshëm do të ndikonte edhe në rritjen e nivelit social dhe ekonomik të zonës. Vizitorët vendas dhe të huaj sapo vënë këmbën në qytetin e gurtë kanë nevojë të njohin veçansitë e elementëve të tij. Aktualisht kapacitetet e muzeumeve të Gjirokastrës nuk mund të justifikojnë këtë kërshëri, thonë specialistët e turizmit./kohajone