Nëna Lili rrëfen për humanizmin e shqiptarëve
“Nëse njeriu është vetvetja, duke qenë kërkues, i vendosur dhe transparent, por nëse ka edhe një zemër nëne, nuk e njeh asnjëherë dështimin”. Këto janë disa nga fjalët që na përcolli Liljana Katirai, kryetarja e Qendrës së Fëmijëve Jetim, për qarkun Gjirokastër, gjatë një bisede me të.
Nëna Lili, ashtu si e kanë zakon njerëzit t’i flasin vjen për “Shekulli”-n, për të rrëfyer historinë e saj personale, që nga momenti që i është ndarë bashkëshorti nga jeta, asokohe ishte vetëm 32 vjeçe, e deri më sot, ku vazhdon që ta përballojë jetën me krenari, duke mos njohur asnjë lloj pengese. Ajo ka katër fëmijë, 3 vajza edhe 1 djalë, edhe për ta është kujdesur në çdo ditë të jetës së saj.
Por përkrahë tyre, ajo prej 12 vjetësh është kujdesur edhe për qindra fëmijë jetim të qarkut Gjirokastër, që janë nga Përmeti, Tepelena dhe Memaliaj. Aktualisht në qendrën që ajo bën pjesë janë 400 fëmijë, edhe të gjithë kanë nevojë përkujdesje. Ajo na tregon se detyra që është duke kryer është një mision shumë i vështirë, është një peshë shumë e rëndë mbi supet e saj, por nga ana tjetër është edhe një akt human shumë i bukur. “Kur unë them se një fëmijë do të jetë i lumtur, kam në mendje sakrificën, sepse e di se ai do të ketë mua, qoftë edhe vetëm nëpërmjet një telefonate.
Por kur dikush tjetër nuk ka asnjërin prind, sepse e kanë braktisur, mua kjo gjë më bën që të vazhdoj edhe më përpara për t’a ndihmuar”. Ndonjëherë nëna Lili, nuk e njeh as gjumin, edhe as qetësinë, sepse dëshira e saj e madhe është që të bëjë vetëm mirë, sa të jetë në këtë botë. Por sa e arrin ajo këtë? Sa human janë shqiptarët? Ajo na tregon me detaje rreth misionit që ka marrë përsipër për të kryer, edhe rreth detyrës së saj si nënë.
Zonja Liljana, është e vështirë që të çash në jetë kur nuk ke shtyllën e familjes, bashkëshortin. Të duhet që edhe të trokasësh në shumë dyer për ndihmë, por cili është mentaliteti shqiptar, sidomos në rrethet e vogla? Sa arrin që t’ja dalë një grua si ju, e cila nga njëra anë ka një mision, por nga ana tjetër ka edhe 4 fëmijë që duhet rritur?
Unë jam një nënë që kam katër fëmijët e mi jetim, por dhimbjen e kam kthyer në forcë, duke e patur si obligim edhe si detyrim ndaj vetes, qëllimin se unë do ta arrij ta kryej këtë mision që kam marrë përsipër. Jam bërë shpeshherë si ajo dallëndyshja që duhet të shtegtojë, edhe si ajo shqiponja që fluturon. Aktualisht kam marrë një godinë shumë të madhe, edhe jam duke punuar që të arrij të strehoj fëmijët e Jugut. Ata fëmijë që janë pa prindër fare, edhe ata fëmijë që janë në nevojë për t’i ndihmuar, qoftë edhe me nga një drekë. Unë kam gjithë fëmijët jetim të Jugut në përgjegjësi. Aktualisht ata janë nëpër gjyshër, dhe nëpër të afërm të tjerë, por në Jug janë rreth 400 fëmijë nga 271 fshatra, 26 komuna dhe 6 bashki.
Si jeni përfshirë në këtë mision?
Në moshën 32-vjeçare mua më është shembur shtëpia. Nga një diagnozë e pashërueshme, më ndahet nga jeta babai i katër fëmijëve. Isha një grua e re kur ngela e vetme me ta. Për t’i braktisur fëmijët braktisen kollaj, sidomos kur shikon se në Jug çdo gjë ishte e braktisur. Të gjithë kishin vazhduar jetën në Tiranë, por unë e ktheva dhimbjen në forcë, sa herë që shikoja nënat që nuk i përballonin dot vuajtjet me fëmijët, kisha iniciativën për të ecur, thjesht sepse e kam patur humanizmin në gjak. Humanizmi që mund të kesh në gjak është ndryshe nga dhimbja që mund të kesh për të kaluar. Kam qenë ndër të parat, nga nënat, jo nga baballarët, që dhimbjen edhe humanizmin i bashkova bashkë.
Kam njohur edhe shumë nëna që kanë qëndruar në kornizën e tyre, nuk kanë çarë dot, sepse u mungonte iniciativa, pavarësisht se ato mund të jenë më të zonjat nga unë. Unë e dua gruan edhe nuk mundet që ta paragjykoj, por ajo që më shtyu mua është krenaria. Nëse një shoqja ime shkon dhe troket në një derë për ndihmë, atë e mbulon turpi, kurse unë nuk kam perde dhe perçe në këtë pikë, sepse i bëj gjërat transparente. Nuk më tremb kjo pjesë, sepse të shikosh fëmijën 5 vjeç pa babanë pranë, teksa të gjithë merrnin dhurata, dashuri dhe ledhatime, kurse mua burri kalaja e bedenës më ishte shuar, kurse fëmija, binari i kështjellës më vuante. Gjatë rrugëtimit me sloganin “Zemër nëne”, vetëm dy ilaçe nuk gjeta, ilaçin e dashurisë edhe atë të sëmundjes së keqe, se të gjitha të tjerat i gjeta.
Nuk mundet që të gjeja dot babanë e fëmijës. Unë mbledh 400 fëmijë, me gjithë nënat dhe gjyshër edhe i gëzoj, por mesazhi më i fuqishëm që mund të japë është se: Një prind është i pazëvendësueshëm. Asnjë nuk mundet që të mburret se u zëvendëson fëmijëve prindin, sepse unë po mundohem vetëm që t’u lehtësoj sadopak dhimbjen, t’i përkëdhel me ledhatime dhe buzëqeshje, asgjë më shumë.
Ka patur momente të vështira gjatë rrugëtimit tuaj 15-vjeçar?
Po ju tregoj një histori që më ka ndodhur para dy vjetësh. Është për të qeshur, por edhe për të qarë. Në datën 20 maj unë kisha një aktivitet, edhe deri në datën 17 nuk kisha mbledhur as çerekun e të ardhurave. Kisha mbyllur programin dhe do të merrja këngëtarë dhe biznesmenë, por pothuajse isha te gjysma e punës. Më duheshin autobusë për t’i dërguar nëpër zonat rurale, për të mbledhur fëmijët, por asnjë nuk të vinte pa lekë. Shkoj në shtëpi në orën 23.00 të mbrëmjes, edhe me ndërgjegjen e pastër, nuk gjej as bukë për të ngrënë. Të katër fëmijët e mi flinin gjumë.
E ndjeva veten shumë bosh edhe thashë vetëm kaq: O Zot ma ke dhënë këtë forcë, edhe këtë mision, më lërë që të arrij qëllimin, ose më paralizo njëherë e përgjithmonë, që mos të shikoj dhimbje dhe lot jetimësh. Të nesërmen në mëngjes unë kam qenë i vetëm rob, që kam fjetur pa lekë edhe jam gdhirë me lekë. Një shoqja ime nga Amerika më dërgoi 100 dollarë, ky ishte hapi i parë. Donatorja nga Tirana Najada Taçi më pyet se si isha me punën, edhe se kur e kisha aktivitetin. I thashë se kisha dhe dy ditë. Ajo më ka ndihmuar, duke më dhënë 2 milionë lekë të vjetra dhe më ka mbuluar të gjitha shpenzimet. Në atë moment më ka dhënë botën, duke arritur qëllimin tim.
Nuk është aq e kollajtë që të trokasësh dhe që të të kuptojnë. Unë kam shumë kryetarë komunash që nuk më kanë kuptuar, edhe që nuk kanë marrë pjesë në këto organizime. Për mua kryetari i komunës është një i zgjedhur i popullit edhe duhet që të ketë përgjegjësi. Më ka ndihmuar shumë kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, ai është treguar me ne: shokë, vëlla, prind, por edhe një baba i madh për fëmijët jetim, duke më dhënë mbështetje bashkë me këshilltarët e Bashkisë. Janë edhe shumë biznesmenë të tjerë që më kanë ndihmuar, sepse unë e nisa konkurrencën dhe sfidën time përballë burrave, që të shikoja edhe forcën e një gruaje pa krahë, se sa do të mundte që të shtegtonte si shqiponjë edhe pa u rrëzuar.
Sa humanistë janë shqiptarët?
Pa u trokitur edhe pa i bindur nuk janë shumë, ndoshta sepse janë bërë dhe shumë shoqata edhe shtëpi për të braktisur, dhe për fëmijë në nevojë. Në një konferencë për fëmijët e braktisur, edhe për fëmijët në nevojë, pyetjes se: Kush duhet ndihmuar, një fëmijë me aftësi të kufizuar, një fëmijë në nevojë, apo një jetim? Unë i jam përgjigjur duke e lënë jetimin në fund. Eshpjegova këtë situatë duke u thënë se: Fëmija në nevojë ka dy prindër, e nxjerrin në rrugë sepse nuk janë të aftë. Atë unë e mbaj, por nuk do të thotë se ai është në vend të parë, e ndihmoj, por jo para fëmijës jetim. Për fëmijën me aftësi të kufizuar unë do të jap shpirtin dhe jetën për të, por atij fëmije shteti i jep një bursë, shëndetësia i mundëson një shoqërues, edhe unë për atë fëmijë e jap shpirtin, por arritjet atje ku ai do, unë nuk i kam për atë fëmijë. Ndërsa fëmija jetim nuk ka as nënë, as baba dhe shteti i jep vetëm 30 mijë lekë të vjetra pension, por mundet që edhe mos t’i japë fare, sepse nuk ka patur asnjë sigurim. Fëmijën e merr gjyshi, i cili është me një këmbë në varr edhe në këtë moment ky jetim zë vend të parë për mua.
Ndërtimi i qendrës
Të gjithë e dinë, por bëjnë sikur nuk e dinë, sepse ata janë të paragjykuar, prandaj mesazhi që unë jap është sensibilizimi për këta fëmijë. Nuk ka asgjë që të mos arrihet nëse ne e kemi zemrën e mirë. Gjërat e mia kanë marrë hapësira, çdokush ka një ëndërr, edhe si nënë dhe unë e kam një. Ëndrra ime është në sirtar, por me kanat të hapur. Të arrij që të mbaroj atë qendër, të shikoj fëmijët e rehatuar, derisa të ngrihem në mëngjes edhe t’u vesh atletet, t’u bëj mëngjesin, t’i nis në shkollë vetë edhe të ha drekë me të gjithë. Nëse mua mu rrëzua fati që në moshën 32-vjeçare, duke ngelë një nënë me katër jetim, tashmë nuk kam asnjë hap tjetër, mua më mjafton që t’i shikoj ata fëmijë atje ku duan, tek ajo dora që i ledhaton./Shekulli